Lidhje

Trafikimi i fëmijëve është një nga krimet që po përhapet më me shpejtësi në botë


Trafikimi i fëmijëve është një nga krimet që po përhapet më me shpejtësi në botë. Kjo formë skllavërie moderne vërehet zakonisht në vendet me sisteme politike dhe ekonomike jo të qëndrueshme. Megjithatë, ai është një problem serioz edhe në Evropë, Rusi dhe në Shtetet e Bashkuara – një biznes i tregut të zi që sjell fitime të jashtëzakonshme. Shumë viktima marrin ndihma nga Fondi FAIR, një organizatë jo-fitimprurëse ndërkombëtare me bazë në Uashington e cila punon për parandalimin e trafikimit të të rinjve për shfrytëzim seksual apo si krah pune, e veçanërisht të vajzave në të gjithë botën.

Në shumë vende në të gjithë botën dhjetëra mijëra vajza dhe djem trafikohen dhe shfrytëzohen për seks dhe krah pune nga rrjete krimi të organizuar. Meshkujt që i rekrutojnë vajzat shpesh hiqen si i dashuri i tyre, pjesëtar i familjes apo si punëdhënës që ofron punë.

Ezhia, tani 20-vjeçare, është ndoshta një viktimë tipike. Në moshën 18-vjeçare, pa punë dhe pa para, ajo mendoi se kishte takuar njeriun e jetës. Por në fakt, ajo ishte gënjyer nga një trafikant 21-vjeçar që e futi atë në tregëtinë e seksit.

“Ai tha se kjo ishte marrëveshje biznesi dhe nga fitimet unë do t’i jepja atij 10 për qind. Ai më tha se puna ime ishte të bëja seks me burra dhe t’i sillja atij paratë,”- thotë ai.

Trafikanti i reklamoi shërbimet e saj në faqen popullore “Craigslist” dhe telefonatat filluan.

“Unë duhet t’i prisja ata të vinin, t’i shihja të parkonin makinën dhe t’u tregoja numrin e dhomës. Ndjehesha e shqetësuar. Pastaj duhet të bëja seks me ta pavarësisht nga mosha e tyre, raca, profesioni, nëse ishin të martuar, kishin fëmijë, apo ndonjë sëmundje. Si mund ta dija?”

Ezhia punonte 15 orë në ditë. Shpesh bënte seks 10 herë në ditë dhe ia sillte të gjitha paratë trafikantit të saj.

“Mbi një mijë dollarë në ditë. Ai i dërgonte në bankë ose shkonte në të ashtuquajturat festa të trafikantëve.”

Ezhia kishte kaluar një fëmijëri të vështirë. Nëna e saj me të meta mendore e kishte lënë atë në spital kur kishte lindur. E rritur nga gjyshja e saj, ajo u bë me fëmijë në moshën 17-vjeçare të cilin e kishte dhënë për adoptim. Si viktimë e trafikut të seksit, ajo kishte përfunduar në zonën e Uashingtonit dhe ishte kapur gjatë një operacioni sekret policor dhe ishte dërguar në burg. Por pas kësaj, jeta e saj mori një kthesë pozitive falë Fondit FAIR.

“Më kanë ndihmuar në shumë gjëra, si për punësim, të jem e pavarur, shtëpiake dhe e mençur. Gjeta një punë një muaj pasi e lashë jetën e mëparshme dhe shumica e njerëzve nuk e arrijnë këtë. Megjithatë, unë ende kam një dosje penale.”

Andrea Pauëll, bashkë themeluese e Fondacionit FAIR, e krijoi atë 8 vjet më parë për të ndaluar trafikimin e të rinjve në të gjithë botën. Ky fondacion ka ndihmuar mbi 2 mijë e 500 adoleshentë gjatë vitit të kaluar në Shtetet e Bashkuara, Bosnjë, Serbi, Rusi dhe Ugandë.

“Rreth 200 mijë të rinj trafikohen çdo vit brenda Evropës juglindore dhe lindore. Në Shtetet e Bashkuara, shifrat tregojnë se rreth 20 mijë njerëz sillen në vend çdo vit. Kryesisht janë vajza adoleshente mes moshës 13 dhe 17 vjeçe që nuk kanë mbështetjen e familjes, ose që mund të jenë abuzuar si fëmijë,”- thotë ajo.

FAIR siguron kualifikim për mësues, punonjës social, policë, juristë dhe të tjerë për t’i mësuar t’i identifikojnë sa më lehtë dhe t’i ndihmojnë adoleshentët që trafikohen për seks dhe ato që rrezikohen nga ky biznes. Kjo organizatë ofron kualifikime edhe për viktimat. Ndërkohë, Ezhia vazhdon jetën e saj dhe punon tani si punonjëse e Fondit FAIR. Megjithatë, plagët e saj shpirtërore janë ende të freskëta.

“Më kap paniku kur shoh njerëz që i ngjajnë personit që më ka mbajtur peng. Për shkak të asaj që më ka ndodhur, shpesh pyes veten se kujt mund t’i besoj, kujt mund t’ia them emrin apo t’i jap numrin e telefonit. Por kur e lë pas atë jetë, je e lumtur, sepse gjërat janë më mirë dhe unë nuk duhet të jetoj më si më parë,”- thotë Ezhia.

XS
SM
MD
LG