Zyrtarët amerikanë thonë se forcat irakiane kanë rimarrë mbi 800 kilometra katrorë territor të Shtetit Islamik, që kur filloi javën e kaluar beteja për qytetin e Mosulit.
Zëdhënësi i Pentagonit, kapiten Jeff Davis, tha se janë rimarrë qytete të rëndësishme, si qyteti Bartella, rreth 30 kilometra larg qendrës së Mosulit.
Forcat irakiane dhe luftëtarët kurdë peshmerga po i afrohen Mosulit nëpërmjet qytezave në veri, lindje dhe jug të Mosulit.
Zyrtarët amerikanë paralajmërojnë se progresi do të jetë i ngadaltë dhe i matur, megjithëse pritet që të intensifikohen luftimet ndërsa forcat irakiane dhe ato kurde i afrohen më shumë qytetit.
Megjithë suksesin përreth Mosulit, Shteti Islamik ka ndërmarrë disa sulme në mbarë vendin gjatë ditëve të fundit, si në qytetet veriore Sinjar dhe Kirkuk.
Zyrtarët amerikanë i konsiderojnë këto sulme si një shpërqëndrim që synon të heqë vëmendjen nga Mosuli.