Lidhje

Raport i OKB: Përdorimi i dhunës nga forcat e rendit


Një hetues special i Kombeve të Bashkuara po bën thirrje për reforma urgjente të ligjeve lidhur me përdorimin e forcës nga policia. Në një raport për Këshillin e OKB për të Drejtat e Njeriut, hetuesi vëren se policia përdor shpesh forcë të tepruar.:

Hetuesi special Christof Heyns po u bën thirrje qeverive në mbarë botën të ndërmarrin fushata për të reformuar kodin ligjor në mënyrë që t’u përshtatet standardeve ndërkombëtare. Ai vëren se shumë ligje në ekzistencë u miratuan mbi 100 vjet më parë.
Në vendet afrikane dhe në Karaibe ai thotë se ende veprojnë ligje të periudhës kolonialiste. Shumë prej ligjeve ekzistuese thotë zoti Heyns, e kanë origjinën në Ligjin Britanik kundër Rebelimit të vitit 1714 ose ligjin francez të vitit 1848.

"Me pak fjalë ligji thotë se nëse 12 vetë janë mbledhur dhe nuk pranojnë të shpërndahen, forcat e rendit mund të qëllojnë në drejtim të tyre dhe janë të paprekshëm nga ligji. Në rastin e ish-kolonive franceze, apo edhe të disa vendeve të tjera, mjaftojnë tri paralajmërime dhe nëse njerëzit nuk shpërndahen, policia mund të përdorë armët e zjarrit”.

Zoti Heyns thotë se këto ligje, të cilat e kanë origjinën nga një periudhë para lindjes së konceptit të të drejtave të njeriut, duhet t’i shërbejnë një bote moderne. Sipas tij, ligjet nuk ofrojnë mbrojtje për demonstruesit që përleshen me policinë, siç ndodhi në Sheshin Tahrir të Kajros. Ai vëren se ligjet për protestat në Egjipt e kanë zanafillën nga periudha kolonialiste, pikërisht nga viti 1914.

Autoriteti tejet i madh që gëzon policia, thotë zoti Heyns, mund të shpërdorohet në çdo shoqëri. Në komentet për Zërin e Amerikës ai flet për rreziqet që sjell përdorimi i forcës së tepruar:

"Një ndër 25 vdekje të dhunshme në botë shkaktohet nga forcat e rendit. Në disa raste këto janë vrasje të justifikueshme, pasi policia ka për detyrë të mbrojë popullatën dhe në disa rrethana nuk e realizon dot këtë pa forcë. Por shifra e përgjithshme për 2011 – shifra më e fundit që kemi – është se në shkallë globale 21 mijë vetë u vranë nga policia nga 500 mijë vdekje të dhunshme në botë”.

Zoti Heyns thotë se në pjesën më të madhe të shoqërive policia që përdor forcë të tepruar i justifikon veprimet e saj me pretendimin se po lufton terrorizmin. Ai thotë se demonstruesit që vriten shpesh cilësohen terroristë.

Hetuesi i OKB nuk mohon rëndësinë e luftën kundër terrorizmit. Por ai thotë se ky është bërë një justifikim i përdorur rëndom për të mbuluar ushtrimin e forcës vdekjeprurëse, veçanërisht në vende ku mungon sistemi i kërkesës së llogarisë. Pak a shumë, thotë ai, lufta kundër terrorizmit është bërë si liçencë për të vrarë.

Zoti Heyns thotë se forca vdekjeprurëse nga policia mund të reduktohet nëse miratohen ligje që përputhen me standardet ndërkombëtare. Ai thotë se policia duhet të stërvitet për të reaguar në mënyrë të rregullt ndaj turmës. Ai gjithashtu vë në dukje se në rastet kur policët janë të pajisur me mjete vetëmbrojtjeje nga protestues të dhunshëm, ata ndjehen më të sigurtë dhe më të rezervuar për të qëlluar mbi protestuesit.
XS
SM
MD
LG