Shtetet e Bashkuara mbyllën ambasadën në Siri dhe i tërhoqën të gjithë diplomatët, duke thënë se situata atje po keqësohet. Departamenti amerikan i Shtetit tha se sot funksionet e ambasadës janë ndërprerë dhe se ambasadori Robert Ford dhe diplomatë të jerë janë larguar nga vendi.
Washingtoni kishte paralajmëruar se do ta mbyllte misionin në Damask, në se Siria nuk zgjidh çështjen e sigurisë për personelin e ambasadës, nga sulmet me bombë të kohëve të fundit. Ky veprim i Washingtonit për izolimin e mëtejshëm të qeverisë së presidentit sirian Bashar al Assad për shkak të shtypjes së përgjakshme të portestave antiqeveritare, ndodh ndërsa aktivistët e të drejtave të njeriut në Siri thonë se të paktën 24 vetë janë vrarë dhe shumë të tjerë janë plagosur pas një bombardimi nga forcat siriane të qytetit Homs, qendër e protestave.
Qyteti i Homsit u mbulua me tym pas sulmeve, të cilat ndodhën në pjesë të ndryshme të qytetit, ku ndodhej edhe një tubacion gazi, i cili shpërtheu. Televizioni shtetëror sirian njoftoi se sulmin e kishin kryer banda terroriste, por ende nuk ka patur një konfirmim të pavarur lidhur me viktimat dhe dëmet, për shkak se Siria i ka kufizuar së tepërmi raportimet e pavarura.