Aktivistët në Siri thonë se forcat qeveritare kanë vrarë 63 vetë dhe kanë plagosur mbi 200 të tjerë gjatë bombardimit të një distrikti nën kontrollin e forcave rebele në qytetin e Homsit, qendër e protestave, si dhe në fshatrat e provincës veriore të Idlibit.
Aktivistët thonë se mes viktimave në lagjen Baba Amr kishte të paktën dy fëmijë. Por numri i saktë i viktimave nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur, për shkak të kufizimeve të mëdha që ka vendosur Siria ndaj mediave të huaja. Sulmi i sotëm ndodh një ditë pasi ushtria siriane vendosi tanke dhe përforcime të tjera përreth Homsit, në përgatitje për një sulm të mundshëm tokësor.
Forcat siriane janë duke e bombarduar Homsit që prej më tepër se dy javësh. Ky qytet ka qenë qendër e kryengritjes 11-mujore kundër regjimit autoktratik të presidentit sirian Bashar al Assad.
Kryqi i Kuq Ndërkombëtar i bëri sot thirrje autoriteteve siriane dhe forcave kryengritëse të zbatojnë pa humbur kohë ndalimin e përditshëm të luftimeve për dy orë në ditë, me qëllim që kjo organizatë të mund të dërgojë ndihmat e emergjencës dhe të evakuojë të sëmurët dhe të plagosurit.