Lidhje

Francë: shumë votues ende të pavendosur


Megjithëse votuesit në Francë i rikthehen votimeve të dielën për raundin e dytë të garës presidenciale, shumë njerëz në Paris dhe në pjesë të tjera të vendit thonë se ende nuk kanë bërë zgjedhjen e tyre, mes kandidatëve Marine Le Pen e së djathtës ekstreme dhe Emmanuel Macron i qendrës së djathtë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Mariama Diallo raporton mbi atmosferën e përgjithshme në vend.

Është dita e fundit e një fushate zgjedhore të trazuar e cila ka ngatërruar politikën e vendit.

Në rrugët e Parisit dhe gjetkë, votuesit ende shprehin me dilema për kandidatët.

“Unë nuk jam për asnjë kandidat ... kam idenë time – por do votoj pa qejf. Mendoj se shumë francezë do të votojnë pa qejf,” thotë një student.

Një luleshitëse pariziane pajtohet.

“Kemi një kandidate e cila është pak e çmendur dhe pak e frikshme; dhe tjetri, nuk jemi të sigurt nëse ai është për njerëzit e thjeshtë. Ai është më shumë për bankierët dhe për ato njerëz. E pohoj se jam shumë e frikësuar. Nuk e di se ç’do të ndodhë” thotë ajo.

As debati i fundit nuk ndihmoi.

“Ishte relativisht zhgënjyes. Fyen njëri-tjetrin dhe nuk sqaruan programet e tyre” thotë Dominique, një votues francez.

Kandidatja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, thotë se media ka nënvlerësuar zemërimin e popullit dhe beson se fitorja është e arritshme.

“Media pretendon se nuk e dëgjon zemërimin shoqëror që ekziston në vend, i cili do të shprehet përmes votimeve të dielën për të sjellë ndryshim dhe për të ndërprerë pesë vitet e socialistëve në qeverisje, që në këto zgjedhje përfaqësohen nga zoti Macron” thotë zonja Le Pen.

Por Macron, i qendrës së djathtë, thotë se ai duhet të fitojë të dielën.

“Për rreth 10 ditë jemi angazhuar në këtë betejë, në betejën e raundit të dytë, i cili vë dy programe përballë njëri-tjetrit, - Frontin Kombëtar...jo, mos bëni “yyy”, po shkoni luftoni kundër tyre! Votoni kundër tyre!” tha ai.

Megjithëse Macron mori një përkrahje të rëndësishme me mbështetjen që shprehu për të ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama nuk ka garanci se ç’do të ndodhë, pasi në të dyja kahet politike gjakrat janë ndezur në prag të zgjedhjeve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG