Lidhje

Sulmet terroriste në Francë


Vrasja brutale e 12 personave gjatë sulmit të koordinuar ndaj revistës satirike franceze Charlie Hebdo nga militantë të dyshuar islamikë, ka ngritur shqetësime për rrjetet ndërkombëtare të luftëtarëve të radikalizuar, të frymëzuar ose dhe të udhëhequr, nga grupe të Al-Kaidas. Zyrtarët e antiterrorit hasin në vështirësi për gjurmimin e qindra personave të cilët largohen për t’u trajnuar në fushëbetejat e Jemenit, Irakut dhe Sirisë, dhe që më vonë rikthehen në vendet e tyre.

Filloi dhe përfundoi me vdekje.

Dy vëllezërit e dyshuar se qëlluan për vdekje 12 persona gjatë një sulmi ndaj revistës satirike franceze, vdiqën të premten nën zjarrin e armëve të forcave të sigurisë franceze.

Cherif dhe Said Kouachi ishin vendosur në qendër të një operacioni masiv kërkimi pasi u dyshua që kishin hyrë në zyrat e revistët Charlie Hebdo ditën e mërkurë dhe vranë nëntë gazetarë dhe dy policë përpara se të largoheshin me një makinë të vjedhur. Ndërkohë që forcat franceze të sigurisë eliminuan dy vëllezërit dhe një bashkëpunëtor që mori pengje në një supermarket në Paris, u ngritën pikëpyejte rreth rrezikut të luftëtarëve islamikë të trajnuar jashtë vendit. Hetuesit u shprehën se me sa duket Said Kuachi ishte trajnuar nga Al-Kaida në Jemen.

Mijëra militantë në Irak, Siri dhe Jemen janë nga Evropa. Rreziku që luftëtarët e huaj të sjellin me vete në atdhe trajnimin terrorist ka qenë në krye të shqetësimit të Evropës, thotë Daveed Gartenstein-Ross i Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive.

“Përmasa e problemit është shumë e gjerë. Është përtej mundësive të Francës apo të çdo vendi tjetër për të ofruar mbikëqyrje 24-orëshe. Kjo do të thotë që pashmangshmërisht do të ketë rrezik.”

Një i mbijetuar thotë se njëri prej vellëzërve Kouachi bërtiste se sulmi mori hak për talljen nga gazeta të Profetit mysliman Muhamed.

Pas tre ditësh terrori, 17 viktima humbën jetën në Paris, ndër ta edhe tre policë. Tre sulmuesit e armatosur gjithashtu u vranë. Ishte sulmi më i keq terrorist në Francë prej vitesh.

Presidenti i SHBA, Barack Obama, tha se Franca ka mbështetjen e plotë të Amerikës.

“Në rrugët e Parisit, bota ka parë sërish se çfarë përfaqësojnë terroristët; ata ofrojnë vetëm urrejtje dhe vuajtje njerëzore, ndërsa ne mbrojmë lirinë, shpresën, dhe dinjitetin e të gjithë njerëzve. Kjo është ajo që qyteti i Parisit përfaqëson për botën dhe kjo frymë do të vazhdojë përjetësisht, shumë kohë pasi fara e terrorizmit të jetë zhdukur nga kjo botë.”

Por, analistët paralajmërojnë se ideologjia e xhihadit të dhunshëm vazhdon të tërheqë ndjekës të rinj.

Nuk është e qartë nëse vëllezërit Kouachi vepronin të vetëm apo si pjesë e Al-Kaidas. Videot tregojnë se ata ishin jo vetëm të trajnuar për përdorimin e armëve, por edhe për teknikat e survejimit dhe taktikat e luftimit në grupe të vogla, thotë Gartenstein-Ross.

“Do të thoja që kjo ngjason me sulmet në Mumbai, kur një skuadër prej dhjetë personash e pushtuan qytetin dhe i ndërprenë funksionimin për një kohë të gjatë. Ngjason edhe me sulmin në Westgate. Mund të ripërsëritet. Lajmi i mirë është se mundet të parandalohet pasi përfshihen një numër njerëzish që bashkëpunojnë në këto lloj konspiracionesh.”

Ndërkohë që Parisi ishte duke mbajtur zi për të vdekurit, Presidenti Francois Hollande paralajmëroi se kërcënimet me të cilat po përballet Franca nuk kanë përfunduar.

XS
SM
MD
LG