Lidhje

Imigrimi i hebrenjve të Francës në Izrael


Imigracioni në Izrael ka ngecuar gjatë viteve të fundit, por hebrenjtë e Francës po e ndryshojnë këtë prirje. Vitin e kaluar gati 3,300 hebrenj nga Franca imigruan në Izrael, një rritje prej 63 për qind krahasuar me vitin 2012. Nga Parisi, Lisa Bryant e Zërit të Amerikës i hedh një vështrim këtij fenomeni që po ndryshon fytyrën e imigracionit izraelit si dhe komunitetit të fuqishëm hebraik të Francës prej 500 mijë banorësh.

Sipas çdo standardi, David Tibi përbën një histori franceze suksesi. 44 vjeçari, dentist dhe baba i 5 fëmijëve, ka një profesion të sukseshëm në Paris, dhe një shtëpi në një lagje të pasur aty afër. Bashkëshortja e tij është mjeke dhe Tibi është anëtar me peshë i komunitetit hebre.

Por në fillim të muajit korrik, familja Tibi do t’u bashkohet mijëra hebrenjve, që po largohen nga Franca. Ata e kanë shitur shtëpinë dhe një koleg do të marrë përsipër klinikën e tij. Familja ka blerë biletat vetëm drejt Izraelit.

“Nëse fëmijët e mi duan të praktikojnë besimin e tyre fetar, e ardhmja e tyre është në Izrael dhe jo në Francë. Shumë njerëz të komunitetit hebraik të Francës mendojnë si unë. Ekziston një lëvizje masive e hebrenjve që duan të largohen”.

Ekspertët thonë se një sërë faktorësh po bëjnë që hebrenj të Francës, si Tibi, të imigrojnë në Izrael. Shumë prej tyre kanë atje familje dhe udhëtojnë rregullisht në Izrael për pushime ose raste të veçanta. Ekonomia në vështirësi dhe taksat e larta në Francë luajnë gjithashtu rol. Muajin e kaluar, papunësia në vend arriti në mbi 11 për qind, ndërkohë që kjo shifër është rreth 6 për qind në Izrael.

Ariel Kandel, drejtor i Agjencisë hebraike për Izraelin në Francë, thotë se anti-semitizmi në rritje është një arsye tjetër e madhe.

“Të jesh hebre në Francë nuk është e lehtë, veçanërisht për ata që ushtrojnë hapur besimin e tyre, si për shembull kur vënë kapelen ose yllin e Davidit”.

Një numër rekord prej 3,270 hebresh të Francës u transferuan në Izrael vitin e kaluar. Kandel beson se këto shifra mund të rriten në rreth 4,000 deri 5,000 hebrenj në vit. Kandel thotë se aktualisht ekziston prirja e transferimit në Izrael.

Popullata hebraike prej rreth 500,000 banorësh në Francë përbën komunitetin e tillë më të madh në Evropë. Parku afër klinikës së Tibit është plot me njerëz pas shërbimit të së shtunës në sinagoge. Kjo lagje është plot me dyqane mishi dhe kasapë hebre.
Por hebrenjtë si Tibi thonë se po shikojnë manifestime në rritje të anti-semitizmit, më së fundi të komikut francez kontradiktor, i njohur me emrin Dieudonne.

“Dieudonne nuk po bën që familja e tij të largohet nga Franca. Është atmosfera në përgjithësi që komiku pasqyron në shfaqjet e tij. Komentet anti-semite po bëhen gati banale”.

Disa hebrenj janë sulmuar fizikisht. Incidenti më dramatik ndodhi para 2 vjetësh, kur një person i armatosur vrau 3 nxënës dhe një mësues në një shkollë hebraike në Toulouse. Dy prej fëmijëve të Tibit u ngacmuan në tren. Muajin e kaluar, familja mbushi aplikimet për të imigruar në Izrael.

Drejtori i Agjencisë hebraike për Izraelin në Francë Kandel thotë se deri në 30,000 hebre në Francë po shikojnë alternativat për t’u transferuar në Izrael brënda 2 vjetëve të ardhshëm. Ai thotë se agjencia e tij nuk po i nxit njerëzit të largohen, por nëse familjet hebre duan të shkojnë në Izrael, shteti duhet t’i ndihmojë ata.
Izraeli nuk është i përshtatshëm për të gjithë. Nuk ka statistika të hebrenjve që rikthehen në Francë, por disa prej tyre e kanë të vështirë të gjejnë punë dhe t’i përshtaten jetës së re.

Mendel Azimov, rabi në Paris, thotë se hebrenjtë shkojnë në Izrael për ta provuar situatën. Ai nuk mendon se imigrimi në Izrael do të ndikojë tek komuniteti hebre në Francë.

“Disa njerëz lëvizin mes Francës dhe Izraelit për arsye familjare. Ata punojnë në Paris dhe në fund të javës shkojnë në Izrael, ku kanë familjen. Aeroplanët e linjës Paris-Tel Avivi janë plot të dielave dhe të enjteve, kur ata lëvizin për punë drejt Francës dhe për t’u kthyer në Izrael për të kaluar fundjavën me familjen në Izrael”.

Por Tibi nuk është i bindur për këtë. Ai parashikon se eksodi mund të arrijë deri në 8,000 hebrenj në vit.

Tibi e ka bërë zgjedhjen e vet, por ai thotë se po largohet nga Franca me zemër të lënduar.
XS
SM
MD
LG