Lidhje

Francë: Katër të vrarë në një shkollë të Tuluzës


Katër persona, një i rritur dhe tre fëmijë u vranë në jugperëndim të Francës, kur një person i armatosur hapi zjarr në një shkollë private hebraike të Tuluzës. Autoritetet thonë se të paktën një person tjetër është plagosur rëndë. Presidenti Nicolas Sarkozy e dënoi ashpër incidentin.

Të vrarët në shkollën Hatorah Ozar, përfshijnë një mësues i cili punonte aty, si dhe fëmijtë e tij tre dhe gjashtë vjeç. Autoritetet e shkollës thonë se u vra gjithashtu një tjetër fëmijë midis moshës tetë dhe 10 vjeç.

Ngjarja ndodhi rreth orës 8 e 10 minuta, pak para fillimit të mësimeve në shumicën e shkollave.

Një zëdhënës i policisë tha se vrasësi u largua me motoçikletë. Presidenti francez Nicolas Sarkozy e dënoi ashpër incidentin e sotëm. Ai e quajti çnjerëzor personin përgjegjës për vrasjen e katër vetave, mes tyre tre fëmijë përballë një shkolle hebraike.

Incidenti vjen disa ditë pasi tre ushtarë u vranë dhe dy u plagosën në dy incidente të veçanta në të njëjtin rajon dhe nga një person i cili u largua me motoçikletë.

Sipas autoriteteve, analizat mjeko-ligjore tregojnë se në dy incidentet e mëparshme ishte përdorur e njëjta armë. Nuk është e qartë nëse sulmi i sotëm ka lidhje me dy ngjarjet e tjera.

XS
SM
MD
LG