Lidhje

Ambasadori Gashi: Mëdyshjet zgjidhen me ligj - jo me kërcënime


Tubime ne Francë pas vrasjes së një mësuesi të premten me 16 tetor

Ambasadori i Kosovës në Paris, Qëndrim Gashi, tha të mërkurën se mëdyshjet në shoqërinë e Kosovës zgjidhen përmes ligjit dhe jo përmes kërcënimeve e dhunës, ndërsa u bëri thirrje të gjithë atyre që dyshojnë se ai e ka shkelur ligjin - duke shpërndarë në rrjetet sociale një artikull që përmbante karikaturat e Profetit Muhamed të revistës Charlie Hebdo, ta sfidojë atë në gjykatë.

Ai i bëri këto komente në llogarinë e tij në facebook pas reagimeve që pasuan shpërndarjen e një artikulli të gazetës franceze “Le Figaro”, në të cilin ishin përdorur karikaturat.

Bashkësia Islame e Kosovës reagoi të hënën kundër ambasadorit Gashi, duke theksuar mes tjerash se “ky akt është i papranueshëm i dënueshëm dhe një veprim i tillë vetëm sa rrit mos durimin, urrejtjen e mosbesimin ndër njerëzor, ngase cenimi, ofendimi dhe atakimi i tjetrit, e sidomos kur kjo ka të bëj me çështjen e besimit, nuk paraqet asnjë vlerë”.

Në adresën e ambasadorit Gashi u bënë edhe kërcënime dhe policia e Kosovës arrestoi të paktën një prej kërcënuesve.

Ambasadori Gashi shpjegoi të mërkurën se artikulli i gazetës “Le Figaro” paraqiste një kronologji të vrasjes së mësuesit francez, Samuel Paty, me 16 tetor, në periferi të Parisit nga një 18-vjeçar, çeçen, i cili më pas u vra nga policia.

Mësuesi i historisë u vra, pasi ai kishte treguar në klasë karikatura të Profetit Muhamed, thanë prokurorët. Shumë myslimanë e shohin çdo shëmbëlltyrë të profetit si ofendim ndaj besimit të tyre.

“Kuptohet që qëllimi im nuk ishte që të ofendoja dikë dhe më vjen shumë keq kur pash njerëz që mund të jenë të lënduar sepse nuk i kanë ditur detajet e kontekstin e artikullit gazetar. Për më shumë, unë s’do ta bëja kurrë një ofendim komunitar nga çfarëdo pozite zyrtare, për arsye njerëzore e jo nga konsekuencat e mundshme ligjore. Kushdo që dyshon se unë kam shkelur ligj duke e shpërndarë një artikull që e jep kronologjinë e një akti terrorist, le të më sfidon në gjykatë, në Kosovë ose Francë. Kështu duhet të zgjidhen dilemat në shoqërinë tonë, përmes ligjit, e jo përmes kërcënimeve e dhunës”, shkroi të mërkurën ambasadori Gashi.

Ambasadori Gashi tha se në emër të vlerave që e krijuan Kosovën e lirë dhe të pavarur, solidarizohet plotësisht me viktimën dhe me shoqërinë franceze “e cila është goditur fort këtyre viteve të fundit nga akte terroriste me ngjyrime fetare. Franca e ka luajtur një rol të posaçëm e historik në rrugëtimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, andaj edhe ajo bëhet cak i shpeshtë i ekstremistëve. Duke u solidarizuar me Francën sot, ne e sfidojmë jo vetëm shtrirjen tek ne të islamit politik apo cilësdo ideologji politiko-shtetërore të bazuar kryekëput në religjion, por edhe e avancojmë humanizmin botëror, fal të cilit ne sot jemi të lirë në Kosovë”, shkroi mes tjerash ai.

Vrasja e së premtes në Paris ndodhi më pak se një muaj pasi një imigrant pakistanez sulmoi me thikë dy persona para redaksisë së vjetër të revistës Charlie Hebdo.

Në të dyja rastet duket se autorët reaguan ndaj botimit të karikaturave të Profetit Muhamet. Sulmet u ndërmorën ndërkohë që në Paris vazhdon gjyqi lidhur me sulmet e vitit 2015 në redaksinë e revistës Charlie Hebdo, gjatë të cilit u vranë 12 persona.

XS
SM
MD
LG