Lidhje

Le Pen, Macron intensifikojnë fushatën presidenciale


Kandidatët në zgjedhjet presidenciale të Francës po u mëshojnë pikëpamjeve të tyre kundrejt Bashkimit Evropian. Kandidatja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen e quan “të vdekur” monedhën e përbashkët euro, ndërsa rivali i saj Emmanuel Macron vizitoi të dielën një përkujtimore për Holokaustin dhe foli për rëndësinë e unitetit.

Një ditë pasi Bashkimi Evropian parashtroi qëndrimin e tij në negociatat me Britaninë për përmbylljen e Brexitit, tani vëmendja është përqëndruar tek Franca ku më 7 maj votuesit do të zgjedhin ose zonjën Le Pen, duke vënë në pikëpyetje unitetin e kontinentit që ka mbizotëruar që nga Lufta II Botërore, ose zotin Macron, i cili do një bashkëpunim më të madh dhe shkëmbimeve më të dendura tregtare brenda Evropës.

Zonja Le Pen i përmbahet premtimit për një referendum në Francë për të vendosur nëse vendi do të mbetet pjesë e BE. Ajo shton se do t’i lejojë kompanitë e mëdha që operojnë në shkallë ndërkombëtare të vazhdojnë të përdorin euron, por qytetarët e thjeshtë do të përdorin monedhën e mëparshme franceze, frangën.

Ndërkaq, kandidati Emmanuel Macron vizitoi Përkujtimoren e Holokaustit në Paris në aktivitetin e dytë për fushatë në tre ditë, me shpresën se do t’u kujtojë votuesve të kakluarën anti-semite të partisë së zonjës Le Pen, Fronti Kombëtar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG