Lidhje

Francë: Afro 2 mijë të arrestuar në protesta


Afro 2 mijë vetë u arrestuan të shtunën në gjithë Francën, në raundin e fundit të protestave të “jelekëve të verdhë”.

Ministria e Brendshme thotë se rreth 136 mijë në gjithë vendin protestuan kundër kostos së lartë të jetesës në Francë. Ata gjithashtu shprehën pakënaqësinë ndaj presidencës së Emmanuel Macronit.

Protestat u mbajtën në një numër qytetesh përveç Parisit, përfshirë Marsejën, Bordonë, Lionin dhe Tuluzën.

Ministria tha të dielën se 1,723 u arrestuan në gjithë vendin dhe 1,220 prej tyre janë urdhëruar të mbahen të ndaluar.

Policia pariziene tha se kishte bërë 1,082 arrestime të shtunën, një rritje e madhe krahasuar me 412 të javës së kaluar.

Të shtunën, Ministri i Brendshëm Christophe Castaner tha se shpërthimet e dhunshme në Paris, ishin “nën kontroll” pavarësisht nga veprimet shkatërruese që ai i quajti “krejtësisht të papranueshme”.

Policia franceze me mbështetjen e auto-blindave përdori gaz lotsjellës ndaj protestuesve me jelekë të vershë në Champs Elysees.

Zoti Castaner tha se numri i demonstruesve në Paris kishte qenë rreth 10,000.

Ai shtoi se 135 vetë ishin plagosur, përfshirë 17 oficerë policie.

Në prirtje të javës së katërt të protestave të dhunshme, Franca kishte mbyllur Kullën Eiffel dhe disa zona të tjera turistike dhe mobilizoi dhjetëra mijëra forca të sigurisë.

Dritaret dhe dyert e shumë dyqaneve në Paris janë mbuluar me materiale mbrojtëse për të shmangur shkatërrimin dhe plaçkitjet.

Megjithë masat e jashtëzakonshme të sigurisë, protestuesit thyen dritare dyqanesh dhe u përplasën me policinë.

Më shumë se 89,000 policë u dislokuan në mbarë Francën për të parandaluar protestat e dhunshme, një rritje e konsiderueshme në krahasim me fundjavën e kaluar, kur në mbarë vendin ishin dislokuar 65,000 policë për vënë nën kontroll protestat.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG