Lidhje

Francë: Socialistët fitojnë në zgjedhjet lokale


Franca bëri dje zgjedhjet lokale të cilat u panë si referendum për Presidentin Nicolas Sarkozy. Zoti Sarkozy i cili ka dy vjet e gjysmë në pushtet hodhi dje votën në Paris bashkë me gruan Carla Bruni. Të majtët u paraqitën mirë në këto zgjedhje duke i shkaktuar një disfatë konservatorëve të zotit Sarkozy, të cilët fajësohen nga shumë votues se nuk mbrojtën vendet e punës gjatë periudhës së krizës ekonomike.

Presidenti Nikola Sarkozi pësoi dje një disfatë në shkallë vendi nga ana e votuesve të cilët me zhgënjimin e tyre për shkak të problemeve ekonomike favorizuan të majtët e opozitës në zgjedhjet lokale.

Rezultatet zyrtare thuajse të plota tregojnë se kandidatët socialistë dhe të tjerë të së majtës dominuan në zgjedhjet e djeshme lokale që ishin raundi i parë i votimeve në 26 rajonet e Francës.

Raundi i dytë vendimtar mbahet më 21 mars. Kandidatët e majtë morën 53.6 përqind të të gjitha votave, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme. Partia konservatore UMP e zotit Sarkozi ka marrë 39.8 përqind.

Partia e gjelbër Europe Ecologie doli e treta dhe Fronti Kombëtar i katërti.

Shumë francezë fajësojnë zotin Sarkozi se nuk mbrojti vendet e punës në kushtet krizës ekonomike, më e rënda në Francë që nga Lufta e Dytë Botërore. Socialistët, të cilët kanë qenë të përçarë për një kohë të gjatë, po përfitojnë nga ky zemërim.

Kjo është një votë mosbesimi megjithëse këto ishin zgjedhje lokale por fushata u bë në nivel kombëtar, thotë votues.

Megjithëse fushata u përqendrua te problemet rajonale si rrugët dhe vendet e punës, shumë francezë i panë këto zgjedhje si referendum për zotin Sarkozi.

Anketat tregojnë se në raundin e dytë socialistët dhe aleatët e tyre do të fitojnë shumicën dërrmuese në zgjedhjet lokale.

XS
SM
MD
LG