Lidhje

Dhuna ndaj kandidatit të FRD në Fier, një i ndaluar


Në Shqipëri policia njoftoi mbrëmë se ka ndaluar një person si të dyshuar për dhunën e ushtruar tre ditë më parë ndaj kandidatit për deputet të partisë Fryma e Re demokratike, në zonën e Roskovecit të rrethit të Fierit, Mit’hat Hoxha. Fryma e re demokratike e drejtuar nga ish presidenti Bamir Topi, është një force e qendrës së djathtë, por në opozitë me partinë demokratike të kryeministrit Sali Berisha.

Sipas policisë nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se ngjarja nuk ka motive politike, pavarësisht se nuk saktëson shkaqet e dhunës dhe shton se po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Por 29 vjecari i ndaluar Eugen Caushi, rezulton të jetë vëllai i zotit Gëzim Caushi, kryetari aktual i Bashkisë së Roskovecit, zonë në të cilën përfaqësuesi i FRD kandidon. Gëzim Caushi është kryebashkiak i partisë demokratike.

Zoti Hoxha u sulmua nga tre persona. Familjarët e tij thanë se ai kishte marrë më parë kërcënime që të tërhiqej nga gara zgjedhore, por policia i rrëzoi edhe këto pretendime. “Nga kallëzimet që ka dhënë i dëmtuari, shtetasi Mit’hat Hoxha dhe bashkëshortja e tij, nuk rezulton që të jenë kërcënuar më parë”, shkruhet në njoftimin e policisë. Për ngjarjen kishte reaguar ashpër kryetari I FRD-s zoti Topi i cili akuzoi policinë për neglizhencë dhe paaftësi, ndërsa kërkoi dhe nga partia demokratike që të distancohej nga aktet e dhunës.

Një ditë pas ngjarjes së Fierit ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit europian dhe delegacioni i BE-së në TIranë dolën me një deklaratë ku ftonin partitë për një fushatë të qetë zgjedhore që të shmangnin dhunën duke shtuar se shtuar se presin që për këtë “partitë politike t’u japin udhëzime të rrepta anëtarëve dhe mbështetësve të tyre”.
XS
SM
MD
LG