Lidhje

Fushatës republikane i shtohen mosmarrëveshjet


Kandidati Donald Trump vazhdon fushatën sot në Florida ndërkohë që po përballet me kritika të ashpra nga të dyja partitë. Kandidati republikan ka shkaktuar zemërim ndër anëtarët e vetë partisë së tij duke mosrespektuar zyrtarët e lartë të partisë, prindërit e një ushtaraku të rënë në luftë, gratë dhe shumë të tjerë. Disa republikanë janë shprehur publikisht se në nëntor do të votojnë për kandidaten demokrate, pasi nuk mendojnë se zoti Trump është i përshtatshëm për president. Por, mbështetësit tradicionalë të zotit Trump nuk lëkunden, ndër ta edhe veteranë lufte, gra dhe mjaft të rinj. Anketimet vazhdojnë të tregojnë zonjën Clinton në avantazh, por ende 20% e votuesve deklarohen të pavendosur. Rezultati i zgjedhjeve të nëntorit mund të varet prej tyre.

Gjatë ditëve të fundit, zoti Trump ka zemëruar republikanët në Kongres duke mos mbështetur kreun e Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, si dhe zyrtarin e lartë, John McCain, në fushatat për rizgjedhjen e e tyre në Kongres. Armiqësia e zotit Trump me prindërit e një veterani mysliman të rënë në Irak i ka shtyrë disa udhëheqës republikanë të deklarojnë se nuk janë dakort me të.

“Familja Khan janë prindërit heroikë të një heroi lufte. Kapiteni Khan është hero i Amerikës.”

Pavarësisht mosmarrëveshjeve, shumë udhëheqës republikanë nuk e kanë tërhequr mbështetjen për zotin Trump.

“Në mendjen time bëj dallimin mes dikujt që ka disa pikëpamje me të cilat nuk jam dakort, dhe me dikë me të cilin nuk jam absolutisht dakort. Kjo është zgjedhja që duhet të bëjmë. Nuk do të bëj asnjëherë diçka që të ndihmoj Hillary Clinton të bëhet presidente e SHBA-së.”

Në Florida, zoti Trump vazhdoi akuzat ndaj kandidates demokrate.

“ISIS u lejua të fitojë këtë formë, prej Hillary Clintonit... Ajo duhet të marrë medalje si themeluese e ISIS-it.”

Kandidati republikan i akuzon demokratët se kanë larguar vendet e punës nga Amerika. Por, zonja Clinton u tha pjesëmarrësve në një tubim në Colorado, se zoti Trump e ka bërë vetë këtë gjë.

“Do të doja që zoti Trump të shpjegojë përse paguan punëtorë kinezë të prodhojnë kravata që mbajnë emrin e tij.”

Zonja Clinton përmendi se kostume të firmës ‘Trump’ që mund të ishin prodhuar në Ohio, tashmë prodhohen në Meksikë; mobilje prodhohen në Turqi, në vend të Pensilvanisë, dhe korniza pikturash në Indi, në vend të Uiskonsinit.

“Kemi bërë një anketim dhe aty tregohet se gjithçka që prodhohet nga Donald Trumpi në Kinë, Meksikë, Turqi, Slloveni, Bangladesh etj., mund të ishte prodhuar këtu në Amerikë.”

Pavarësisht sinqeritetit të kandidatëve, mbështetësit e tyre tradicionalë vazhdojnë t’i përkrahin. Fitues mund të jetë kandidati që do të mundet të marrë votat e të pavendosurve.

XS
SM
MD
LG