Lidhje

Fyle: Rëndësi lufta kundër krimit e korrupsionit


Komisioneri europian për Zgjerimin në Tiranë për dialogun e nivelit të lartë politik, nisma për të mbështetur Shqipërinë në përmbushjen e prioriteteve për hapjen e bisedimeve për anëtarësim

Në Shqipëri komisioneri Stefan Fyle pritet të bëjë sot të ditura detajet e nismës për një dialog politik të nivelit të lartë mes Tiranës dhe Brukselit për prioritetet kyce që vendi duhet të përmbushë për hapjen e bisedimeve për anëtarësim. Kjo nismë, sic deklaroi mbrëmë zoti Fyle do të ndihmojë Shqipërinë për të përqendruar fokusin e veprimeve të saj, pikërisht në fushat lidhur me këto prioritete, mes të cilave ai vecoi luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit

Pas takimeve që realizoi gjatë pasdites së djeshme në Tiranë me të gjithë aktorët kryesore institucional dhe politik të vendit, komisioneri për Zgjerim pritet t’i japë jetë sot nismës për një dialog politik të nivelit të lartë i cili "duhet të ndihmojë Shqipërinë të përqëndrohet në reformat e nevojshme dhe në konsensusin politik që kërkohet për të patur rezultate të suksesshme. Shpresoj se ky dialog do ta shpjerë Shqipërinë me afër Bashkimit europian, por dhe do të përdoret gjithashtu nga opozita dhe aktorët e tjerë që të vazhdojnë të ndjekin axhendën e BE-së“, tha komisioneri europian.

Zoti Fyle do diskutojë rreth kësaj nisme, e para në llojin e saj, me përfaqësuesit politik shqiptarë, përfshi edhe ata të opozitës, si dhe me drejtuesit e institucioneve kryesore të vendit. Muajin e kaluar komisioni europian rekomandoi dhënien e Statusit kandidat për Shqipërinë, ndërsa janë përcaktuar edhe pesë prioritete që vendi duhet të përmbushë për të hapur bisedimet për anëtarësim, që nga lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, te reformat në sistemin gjyqësor, në administratë dhe në mbrojtjen dhe respektimin e të Drejtave të njeriut.

Zoti Fyle, në takimet e tij tha se ka diskutuar edhe mbi atë se cfarë pritet nga Shqipëria: “Ajo duhet të vazhdojë të dëshmojë vendosmërinë e saj në trajtimin e sfidave në këto 5 fusha, vecanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar: të vazhdojë reformat, t’i zbatojë ato dhe t’i ktheje synimet në rezultate“.


Komisioneri europian vuri theksin edhe te nevoja e dialogut te brendshëm politik në Shqipëri: “Mes disa gjërave të tjera, unë kam theksuar nevojën për një dialog politik konstruktiv, mes qeverisë dhe opozitës, I cili besoj që është thelbësor për të rigjallëruar procesin e reformave“.

Nga ana e tij kryeministri Edi Rama theksoi mbrëmë se është plotësisht në të njejtën gjatësi vale lidhur me pesë prioritetet e përcaktuara nga Komisioni, në funksion të përpjekjes për të shkuar drejt hapjes së negociatave: "Jemi 100% të vendosur për të çuar më tutje, një luftë pa kompromis kundër krimit të organizuar apo krimit të rrugës dhe korrupsionit, luftë e cila vetëm sa ka filluar dhe jemi 100% të predispozuar që të ndërtojmë një proces, ku zotimi ynë, që të mos i mohohet opozitës asgjë nga çka na u mohua ne kur ishim në opozitë dhe ne të sillemi me opozitën, ashtu siç do të kishim dashur të sillej qeveria me ne, të jetë një realitet i prekshëm“.

Situata politike megjithatë nuk duket e favorshme. Pikërisht dje, ndërsa sapo komisioneri Fyle kishte nisur takimet në Tiranë, opozita gjendej përballë zyrave të qeverise për të protestuar duke e akuzuar atë për blerje votash dhe një sjellje arrogante e arbitrare në shumë prej vendimarrjeve të saj. Opozita paralajmëroi se manifestimi i djeshëm është vetëm fillimi i protestave në sheshet e të gjithë vendit.
XS
SM
MD
LG