Lidhje

Shtefan Fyle për vizitë në Shkup


Komisioneri për zgjerim i Bashkimit Evropian, Shtefan Fyle shkoi dje pasdite në Shkup në një vizitë të pa-paralajmëruar, në përpjekje për uljen e tensioneve midis partive më të mëdha maqedonase të pushtetit dhe të opozitës. Nuk janë dhënë shumë hollësi lidhur me bisedat që ka zhvilluar zoti Fyle dhe nëse ka arritur ta bindë opozitën që të heqë dorë nga bojkotimi i Parlamentit dhe paralajmërimet për bojkotimin edhe të zgjedhjeve të pritshme vendore. Ndërkohë, opozita e drejtuar nga Lidhja Social Demokrate po bllokon kryqëzime të rëndësishme të rrugëve në një sërë qytetesh të Maqedonisë, duke shprehur kështu pakënaqësinë për shpërfilljen e kërkesave të saj.

Komisioneri per zgjerim i Bashkimit Evropian, Shtefan Fyle ka arritur dje ne Shkup në një vizitë të pa-paralajmeruar. Me drejtuesit shtetërorë: presidentin Gjorgje Ivanov dhe kryeministrin Nikolla Gruevski si dhe me kryetarin e Lidhjes Social Demokrate të opozitës maqedonase, Branko Cërvenkovski, ka diskutuar mbi zhvillimet politike në vend dhe çështjen e reformave. Komisioneri Fyle nuk ka bërë komente për mjetet e informimit, ndërsa nga zyra për komunikim e qeverisë në Shkup dhe nga zyrat e Bashkimit Evropian njoftojnë se, mes tjerash, është biseduar për ngjarjet në lidhje me bojkotin e punimeve të Parlamentit nga ana opozitës, si dhe për reformat që po bën Maqedonia në kuadër të synimeve për integrim në Bashkimin Evropian.

Komisioneri Fyle ka diskutuar me bashkëfolësit e tij në Shkup edhe mbi përgatitjet për shqyrtimin e raportit të Komisionit Evropian për Maqedoninë që pritet të dalë në pranverë, e që ka të bëjë me caktimin ose jo të datës për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Në një komunikatë të zyrës së Bashkimit Evropian në Shkup thuhet se komiisoneri Fyle pati bisedime të frytshme dhe si ai do të kthehet në Shkup në kuadër të Dialogut të nivelit të lartë për aderim.

Zoti Fyle erdhi në Shkup papritmas, menjëherë pas dështimit të dialogut midis dy drejtuesve të partive më të mëdha maqedonase, Nikolla Gruevskit dhe Branko Cërvenkovskit të partive VMRO-DPMNE dhe Lidhja Social Demokrate. Dy partitë rivale nuk po mund të gjejnë zgjidhje për krizën politike në vend, ndërkohë që opozita maqedonase paralajërmon se do të përshkallëzojë veprimet e saj.

Partitë shqiptare, nga ana tjetër, nuk janë përfshirë në problemet për të cilat vlerësojnë se u përkasin partive maqedonase. Deri tash, asnjë faktor politik shqiptar nuk ka mbështetur kërkesat e opozitës maqedonase për zgjedhje të parakohëshme parlamentare. Ndërkaq, kryeministri Nikolla Grurvski mendon se Lidhja Social Demokrate do të marrë pjesë në zgjedhjet vendore edhe përkundër mohimeve, dhe se bojkoti i Parlamentit dhe protestat e përditshme janë pjesë e strategjisë dhe fushatës së opozitës.

Zyrtarët në Bruksel i kanë rekomanduar opozitës që t’i japë fund bojkotit dhe debatet të zhvillohen brenda institucioneve. Nga opozita maqedonase nuk kanë bërë të ditur se ç‘farë mesazhes u kishte sjellur komisioneri evropian Shtefan Fyle.
XS
SM
MD
LG