Lidhje

Obama: takimi i G-7-ës duket tejet produktiv


Presidenti amerikan, Barack Obama, thotë se takimi i nivelit të lartë të grupit të shtatëshes, G-7 në Japoni, ka filluar me tone mjaft të mira dhe është tejet produktiv. Presidenti Obama tha se një ekonomi globale e lulëzuar, është mes pikave kryesore në diskutimet në takimin e G-7. Presidenti tha se Japonia, Britania, Franca, Italia dhe Kanadaja kanë në plan të diskutojnë edhe çështje të tjera të rëndësishme ndërkombëtare para përfundimit të takimit të premten.

Presidenti Obama po merr pjesë në takimin e nivelit të lartë të shtatë demokracive më të pasura në botë, takim që po zhvillohet në Japoni. Mes synimeve kryesore të takimit është edhe gjetja e mënyrës më të mirë për të ringjallur ekonominë globale.

“Po prekim disa nga pikat kryesore të çështjeve të sigurisë që janë të rendësishme për të gjithë ne. Deti i Kinës së Jugut dhe siguria detare. Është folur për çështjet e sigurisë në Ukrainë, ku pati disa përparime në negociata, por ende po shohim shumë dhunë dhe ne duhet ta zgjidhim këtë çështje. Sonte do të trajtojmë disa prej pikave më të nxehta në arenën ndërkombëtare,”- tha zoti Obama

Presidenti amerikan u shpreh të enjten se ambicjet bërthamore të Koresë së Veriut përbëjnë një këcënim serioz afat-mesëm, duke shtuar se përfshirja e Kinës dhe vendeve të tjera ka sjellë përparime lidhur me këtë çështje:

“Koreja e Veriut përbën shqetësim të madh për të gjithë ne. Aktualisht nuk kanë arritur në pikën ku mund të godasin me efikasitet objektivat amerikane. Por sa herë kryejnë prova, edhe kur ato dështojnë, ata mësojnë diçka. Ata dhe udhëheqësi i tyre janë të bindur ideologjikisht se legjitimiteti i tyre është i lidhur me ndërtimin e armëve bërthamore.”

Presidenti amerikan reagoi edhe lidhur me emërimin nga Talebanët të klerikut të vijës së ashpër, Mullah Haibatullah Akhundzada, në krye të organizatës.

“Shpresoj, por kjo nuk është pritshmëria ime, se vjen një pikë kur Talebanët do ta kuptojnë se nuk do të jenë në gjendje të marrin kontrollin e vendit. Ajo që ata duhet të bëjnë është të futen në bisedime serioze që po drejtohen nga Afganistani.”

Të premten, pas përfundimit të takimit të G-7, presidenti amerikan do të shkojë në Hiroshima, ku dhjetëra mijëra japonezë u vranë, kur një aeroplan amerikan lëshoi bombën e parë bërthamore në botë në vitin 1945 që përshpejtoi fundin e Luftës së Dytë Botërore.

XS
SM
MD
LG