Lidhje

Izraeli: Operacionet ndaj Hamasit, të suksesshme


Zyrtarë të ushtrisë së Izraelit thanë sot se ofensiva e tyre tokësore në Gaza po shkakton pasoja tek Hamasi. Një zyrtar i OKB-së tha se sekretari i përgjithshëm Ban Ki-moon do të udhëtojë sot në Lindjen e Mesme për të ndihmuar në ndërmjetësimin e konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit, që kontrollon Rripin e Gazës.
Operacioni në terren i Izraelit në Rripin e Gazës ka vazhduar sot në ditën e tij të tretë, i mbështetur nga disa sulme me raketa, që dërguan në ajër shtëllunga tymi të dendura.

"Jemi në fazën e zgjerimit të operacionit tokësor, një proces që filloi mbrëmë në disa zona, me forcë, me shumë mobilizim, dhe deri tani, me sukses të madh drejt dy synimeve, atij të sulmit ndaj armikut dhe të dobësimit të kapaciteteve të tyre. Synimi ynë është të vazhdojmë zgjerimin dhe formimin e operacionit sipas nevojave. Forcat tona do të jenë të angazhuara dhe do të ketë dhe momente të vështira," tha Benny Gantz, Shef i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë së Izraelit.

Izraeli thotë se ofensiva e tij tokësore ka për qëllim shkatërrimin e tuneleve të përdorura nga luftëtarët e Hamasit për të depërtuar në Izrael dhe për futur kontrabandë armë dhe eksploziv.

Ushtria e Izraelit thotë se ka goditur rreth 200 objektiva terroriste që nga fillimi i operacionit mbrëmjen e së enjtes, duke vrarë më shumë se 20 militantë.

Gjatë inkursionit izraelit, militantët palestinezë kanë vazhduar hedhjen e një breshërie raketash në Izrael. Shumë prej tyre janë rrëzuar nga sistemi i mbrojtjes nga raketat i Izraelit, “Kupola e Hekurt”.

Dje, Këshilli i Sigurimit i OKB-së mbajti një takim urgjent për të diskutuar krizën e Gazës.

"E vetmja mënyrë për t'i dhënë fund kësaj situate është ndërprerja e menjëhershme e sulmit me raketa nga Gaza dhe një ulje e përshkallëzuar e luftimeve. Kjo është ajo për të cilën bëjmë thirrje sot," deklaroi Samantha Power, ambasadorja amerikane në OKB.

Më shumë se 300 palestinezë kanë vdekur që prej 8 korrikut, kur ushtria izraelite shtoi sulmet ajrore në Gaza në përpjekje për të ndaluar sulmet me raketa kundër Izraelit. Dy izraelitë kanë vdekur, duke përfshirë një ushtar për të cilin ushtria thotë se ka gjasa të jetë vrarë padashje nga vetë izraelitët.

XS
SM
MD
LG