Egjipti u bëri thirrje izraelitëve dhe palestinezëve të pranojnë një armëpushim të përhershëm dhe të kthehen në bisedimet indirekte në Kajro.
Thirrja e ministrisë së jashtme të Egjiptit erdhi pas takimit që Presidenti palestinez Mahmud Abbas pati sot në Kajro me presidentin egjiptian, Abdel Fatah el-Sissi.
Zyrtarët palestinezë kanë thënë se do ta shqyrtojnë thirrjen. Nga pala izraelite nuk ka patur përgjigje.
Ndërkohë, zyrtarët palestinezë thonë se një sulm ajror izraelit goditi një shtëpi në Gazën qendrore, duke vrarë pesë anëtarë të një familjeje.
Sipas agjencisë franceze të lajmeve, mjekët në spitalin Al-Aksa thanë se pesë të vrarët sot ishin një baba 28-vjeçar, gruaja e tij 26-vjeçare, dy djemtë e tyre të vegjël dhe tezja 45-vjeçare e burrit.
Kombet e Bashkuara thonë se më shumë se 2,090 palestinezë, duke përfshirë rreth 500 fëmijë, janë vrarë që nga shpërthimi i dhunës më 8 korrik. Izraeli ka humbur 64 ushtarë dhe katër civilë, duke përfshirë një djalë 4-vjeçar të vrarë dje nga një predhë mortaje.
Po dje, militantë të Hamasit në Rripin e Gazës ekzekutuan 18 palestinezë të akuzuar për bashkëpunim me Izraelin.