Lidhje

Gazetarët kërkojnë ndryshimin e Kodit Penal të Kosovës


Përfaqësues të mediave në Kosovë por edhe të organizatave ndërkombëtare i kanë bërë thirrje presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga që të mos e nënshkruajë dhe të rikthejë në Parlament Kodin e ri Penal të Kosovës i cili përfshin dy nene që mes të tjerash detyrojnë gazetarët të zbulojnë burimet e tyre të informacionit.

Një delegacion i drejtuar nga Asociacioni i Gazetarëve Profesionist të Kosovës, u takua sot me presidenten Jahjaga për të paraqitur argumentet kundër këtij Kodi. Kryetari i kësaj shoqate Arben Ahmeti tha se presidentja është zotuar të shqyrtojë në tërësi shqetësimet e ngritura rreth Kodit të ri Penal të Kosovës.

“Ishte vullnet i plotë i presidentes që të shqyrtoj në detaje të gjitha ato që kishin ndodhur, natyrisht si institucion nuk mund të marr një vendim pa e pasur analizën shkencore legale të gjithë asaj që ka ndodhur dhe ne po presim që me argumentet që i kemi ofruar realisht kjo të ndodhë, kthimi të ndodh sepse ka bazë të mjaftueshme legale që jo vetëm të kthehet ky ligj, por edhe ty hyjë në proces të amandamentimit dhe të rivotohet nga Kuvendi”, tha ai.

Zoti Ahmeti tha se mediat janë pajtuar të vazhdojnë përpjekjet për të ndryshuar këtë Kod që dëmton punën e tyre.

“I kemi të gjitha argumentet e mundshme, në të gjitha praktikat evropiane që kundërshtojnë këto dy nene të cilat e fundosin lirinë e shprehjes dhe bëjnë që gazetarët çdo ditë të kërcënohen me burg. Deputetët e Kuvendit të Kosovës ka qenë dashur ta dinë dhe ta lexojnë atë për çka kanë votuar dhe si shenjë pakënaqësie ndaj kësaj, ndaj mos reagimit të tyre të duhur atëherë kur e kanë votuar ligjin, më 3 maj në ditën ndërkombëtare të lirisë së shtypit ekziston një vullnet i përgjithshëm i të gjitha mediave që të bojkotojmë punën e institucioneve”, tha zoti Ahmeti.

Kundër Kodit të ri Penal kanë reaguar edhe organizatat ndërkombëtare për mbrojtjen e gazetarëve.

Organizata Gazetarët pa Kufij, vlerëson se nenet e diskutueshme kanë për qëllim heshtjen e atij lloji të gazetarisë dhe raportimit hulumtues që e bën qeverinë të mos ndjehet rehat”. Gazetarët nuk duhet të shkojnë në burg, për shkak të punës së tyre ose për shkak se refuzojnë të zbulojnë burimet e tyre.

E drejta për të ushtruar këtë profesion dhe për të mbrojtur burimet e informacionit duhet të vazhdojë të jetë parim thelbësor, thuhet në reagim, në të cilin i bëhet thirrje presidentes Atifete Jahjaga, të refuzojë nënshkrimin e këtij kodi dhe ta kthejë në Parlament për të bërë ndryshimet që do të ishin në një vijë me standardet ndërkombëtare".

Gazetarët pa Kufij u kanë bërë thirrje edhe ekspertëve evropianë të ndërhyjnë dhe të ndihmojnë në ri hartimin e neneve kundërthënëse.

Edhe gazetarët vendas por edhe organizatat ndërkombëtare tërheqin vërejtjen se nenet e reja nuk e përcaktojnë qartazi se cilat janë veprat penale që mund të kryhen me anë të mediave dhe kjo u lë mundësinë gjykatësve e prokurorëve që të interpretojnë kodin sipas vullnetit të tyre. Në nenin 38 të Kodit Penal thuhet se gazetarët do të jenë “penalisht përgjegjës” në rastet kur refuzojnë të zbulojnë burimet e tyre për të parandaluar “një sulm që përmban rrezik të pashmangshëm ndaj jetës apo integritetit personal”.

Sipas gazetarëve zbatimi i tij rrezikon gazetarinë hulumtuese, e cila edhe ashtu është e kufizuar në Kosovë dhe do të forcojë, siç thuhet, në mënyrë të konsiderueshme monopolin e medieve pro-qeveritare dhe propagandën qeveritare.

Reagimeve u është bashkuar edhe Organizata për Mediat e Evropës Juglindore me seli në Vjenë, SEEMO, e cila vlerëson se Kodi i ri shkel lirinë e shprehjes dhe e bënë punën e gazetarëve shumë të rrezikshme. Nëse Kosova ka zgjedhur të ndërtojë një shoqëri demokratike, atëherë duhet të mbështesë parimet demokratike. Këto nene duhet të ndryshohen dhe ofendimet e shpifjet plotësisht të dekriminalizohen”, thuhet në reagimin e kësaj organizate.

Ministria e Drejtësisë që ishte hartuese e Kodit Penal tërhoqi vëmendjen se siç thuhet në një komunikatë për opinion, kishte kërkuar heqjen e dy neneve të diskutueshme nga ky Kod dhe se miratimi i tyre është përgjegjësi e Parlamentit.

Ndërkaq, mekanizmat ndërkombëtarë në Kosovë ende nuk e kanë komentuar Kodin, siç është thënë në pritje të veprimeve të institucioneve vendase.

XS
SM
MD
LG