Lidhje

Filmi "Qyteti i Shpirtrave" dokumenton gjendjen në Raka


Një film i ri dokumentar i shfaqur kohët e fundit bën fjalë për një grup qytetarësh gazetarë nga Raka, qyteti sirian i pushtuar nga ISISI-i. Ata rrezikojnë jetën për të pasqyruar në mediat sociale mizoritë e militantëve kundër civilëve. Penelope Poulou e Zërit të Amerikës bisedoi me regjisorin Matthew Heineman, kandidat për Oskar, si dhe me zotin Abdul-Aziz al-Hamza, bashkë-themelues i grupit të quajtur "Raka po masakrohet në heshtje”.

Ata janë gazetarë qytetarë që ndeshen me vështirësi të paimagjinueshme në luftën kundër Shtetit Islamik.

Filmi "Qyteti i Shpirtrave" dokumenton punën e grupit "Raka po masakrohet në heshtje”. Aty gjen informacione online rreth mizorive të kryera nga ISIS-i në kryeqytetin e tij të vetëshpallur Raka në Siri.

Kjo organizatë ilegale, që është nderuar nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, po heq vellon e izolimit që bota të mësojë për fatin e qytetarëve të bllokuar në Raka. Me këtë ajo e ka zemëruar së tepërmi ISIS-in.

Abdul Aziz al-Hamza është bashkë-themelues i organizatës "Raka po masakrohet në heshtje”. Al-Hamza, i cili ka lindur vetë në Raka, shpjegon se çfarë e shtyn atë dhe të tjerët të rrezikojnë jetën.

"Mposhtja e ISIS-it nuk do ta zgjidhë problemin. Ne po luftojmë kundër ideologjisë së ISIS-it, sepse e kemi parë atë kudo, jo vetëm në Raka, Siri dhe Irak. E kemi parë në Evropë, në SHBA, në Azi. Pra, kryesorja është puna kundër kësaj ideologjie", thotë ai.

Matthew Heineman është regjisor i filmit "Qyteti i Shpirtrave". Ai filmoi anëtarët e organizatës duke punuar fshehtazi në Turqi dhe Gjermani.

"Ata janë fytyra e lëvizjes. Ata po kërcënohen, kolegët e tyre janë ende në Raka, ndërsa ne po bëjmë këtë intervistë, duke folur për mizoritë e ISIS-it", thotë zoti Heinman.

Al-Hamza thotë se nuk e di se çfarë fati e pret. Por, në këtë luftë kundër propagandës së ISIS-it, ai nuk dëshiron ta fshehë identitetin e tij.

"Ishte e rëndësishme të tregonin se kush jemi, sepse kur e filluam këtë punë, shumë njerëz dyshonin se ne mund të ishim një organizatë qeveritare. Ne donim që njerëzit të dinin se jemi banorë vendës, jemi nga Raka”, thotë ai. "Më kanë kërcënuar në një kanal mediash sociale të ISIS-it. Por siç themi ne në Raka, ‘Vdekja është vdekje’".

((Penelope Poulou, VOA News))

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG