Lidhje

Geithner: Plani për të zgjidhur krizën e borxheve evropiane duhet të ketë sukses


Geithner: Plani për të zgjidhur krizën e borxheve evropiane duhet të ketë sukses
Geithner: Plani për të zgjidhur krizën e borxheve evropiane duhet të ketë sukses

Duke folur për shtypin në Gjermani, Sekretari amerikan i Thesarit Timothy Geithner tha se ishte inkurajuar nga zhvillimet e fundit, veçanërisht një plan i shpalosur nga udhëheqësit e Francës dhe Gjermanisë për të forcuar lidhjet ekonomike dhe përgjegjshmërinë mes 17 vendeve anëtare të eurozonës.

“Jam këtu në Evropë për të theksuar se sa e rendësishme është për Shtetet e Bashkuara dhe ekonominë botërore si e tërë që Gjermania dhe Franca të kenë sukses sëbashku me vendet e tjera të Evropës në ndërtimin e një Evrope më të fortë.”

Zoti Geithener foli në prag të takimit të lartë të udhëheqësve të Bashkimit Evropian, të cilët janë nën presion për të ndërmarrë veprime vendimtare për të dalë nga kriza e borxheve dhe e njësisë monetare euro. Pavarësisht planit që presidenti francez Nicolas Sarkozy dhe kancelarja gjermane Angela Merkel do të paraqesin në takimin e Brukselit të enjten, agjencia e vlerësimit të kreditimit Standard & Poors paralajmëroi se mund të ulë vlerësimin për 15 vende evropiane, përfshi dy ekonomitë më të mëdha të kontinentit Francën dhe Gjermaninë.

Por zoti Geithner anashkaloi sugjerimet se Rezerva Federale Amerikane mund të ndërhyjë për të ndihmuar euorozonën përmes Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ai tha se sugjerime të tilla nuk janë korrekte.

“Patjetër që FMN-ja ka një rol për të luajtur në këtë mes dhe ne do të vazhdojmë mbështetjen tonë në kontekstin e përpjekjeve që po bëjnë evropianët për të ndërtuar një Evropë më të fortë.”

Zoti Geithner do të zhvillojë takime të shumta me udhëheqës të lartë evropianë gjatë ditëve në vazhdim. Ai u takua me shefin e Bankës Qendrore Evropiane dhe ministrin gjerman të financave të martën. Ndërsa sot, ai do të zhvillojë bisedime me Presidentin Sarkozy në Francë dhe kryeministrin e sapozgjedhur të Spanjës Mariano Rajoy. Të enjten, ai shkon në Itali për diskutime të mëtejshme me kryeministrin e ri Mario Monti.

Zoti Geithner ka bërë disa vizita në Evropë këtë vjeshtë, duke theksuar kështu shqetësimin amerikan se problemet fiskale të Evropës mund të përhapen përtej oqeanit.

Analisti Philippe Moreau Defarges me Institutin Francez për Marrëdhënie Ndërkombëtare, nuk pret që kjo vizitë e zotit Geithner të jetë ndryshe nga të parat.

“Zoti Geithner do të jetë në Evropë për të ushtruar trysni ndaj udhëheqsve evropianë por nuk do të arrijë asgjë sepse Shtetet e Bashkuara janë të dobëta dhe Presienti Obama është i dobët po ashtu.”

Në muajin gusht, agjencia e vlerësimit të kreditimit S&P uli vlerësimin për Shtetet e Bashkuara nën shqetësimet e planit të Kongresit për reduktimin fiskal.

XS
SM
MD
LG