Lidhje

Vdes këngëtari i muzikës country George Jones


Admiruesit e muzikës janë duke përjetuar me dëshpërim ndarjen nga jeta të një legjende të muzikës country. Këngëtari George Jones vdiq të premten, në moshën 81-vjeçare në Qendrën Mjekësore të Universitetit Vanderbilt në Nashville. Në vazhdim ju njohim me atë që njihet si “Rolls Royce i këngëtarëve të muzikës country:

please wait

No media source currently available

0:00 0:06:46 0:00
Direct link

Në vitin 1955, George Jones regjistroi këngën “Why baby why”. I lindur në Saratoga të Texasit, ai filloi të këndonte që në moshën 10-vjeçare në klubet lokale. Në fund të viteve ’40, ai filloi të punonte për rubrikat muzikore në disa radio të Teksasit dhe në vitin 1950 u regjistrua në radhët e Marinës Amerikane. Pasi kreu shërbimin ushtarak për tre vjet, ai u kthye për të punuar në klube nate po në shtetin e tij, Texas, ku talenti i tij u zbulua nga themeluesi firmës së regjistrimeve Starday Records, “Pappy” Dailey, i cili e bindi Jones-in të bashkëpunojë me kompaninë e tij. Jones kujtonte se sesioni i tij i parë në studio ishte një eksperiencë e shkëlqyer.

“Herën e parë që shkova për të bërë regjistrimin, për rreth dy orë, këndoja si Roy Acuff, Lefty Frizell and Hank Williams. Më në fund, kur producenti hyri në studio, më pyeti në se mund të këndoja si George Jones. Unë thashë: O, unë kujtoja se duhet të këndoja si ata të tjerët. Në fakt ata shisnin disqe, por unë atëhere nuk e dija ndryshimin.”

Pasi u largua nga Starday Records në vitin 1957, Jones bashkëpunoi me disa kompani të tjera regjistrimi. Në vitin 1969, ai filloi bashkëpunimin me kompaninë Grand Ole Pry të Nashvillit dhe po atë vit u martua me këngëtaren Tammy Winet. Gjatë 6 vjetëve të martesës së tyre, ata bashkëpunuan me duete të ndryshme, përfshirë hitet “We’re gonna hold on”, “Near you” dhe “Golden ring”.

Gjatë pjesës më të madhe të jetës së tij, George Jones luftoi me alkohholin, që për pak ja shkatërroi karrierën profesionale. Prandaj atij i vunë edhe nofkën, “No show Jones”, ngaqë nuk paraqitej në disa koncerte. Në vitin 1983 ai u martua me gruan e tij të dytë, Nancyn dhe ajo e ndihmoi të kapërcejë alkoholizimin, duke i dhënë një kuptim të ri jetës së tij.

Shumë artistë thonë se janë ndikuar së tepërmi nga George Jones në karrierën e tyre muzikore. Një prej tyre është Bill Ivey, ish-drejtor i Fondacionit të Muzikës Country.

“Ai ka një stil vokal unik dhe është aq i veçantë, sa që nuk e kanë imituar dot shumë. Mendoj se ai shpreh një energji të madhe në muzikën country që ai krijon dhe interpreton”.

Kur ishte 62 vjeç, Jones u përfshi në Hollin e Famës të Muzikës Country, një ngjarje që e befasoi artistin, duke dhënë një fjalim të rastit shumë emocionues.

Vitet e fundit, prirjet me orjentim nga muzika pop, i kanë zgjeruar kufijtë e muzikës Country, por popullariteti i tingullit tradicional të George Jonesit nuk u pakësua asnjëherë. Krahas me grupin e tij muzikor, “George Jones dhe miqtë” ai mori çmimin Grammy për këngën “I don’t need your rocking chair”.

George Jones, i cili ka marrë edhe Çmimin Grammy për arritje jetësore në muzikë në vitin 2012, thonte shpesh se ai interpretonte dhe krijonte muzikë country, i nxitur nga dashuria e tij për muzikën. Ai vlerësonte shumë edhe marrëdhënien e veçantë me admiruesit e tij. Ai thonte se synimi tij ishte që përmes muzikës t’i bënte njerëzit të ndjeheshin lumtur, ashtu sikurse ndjehej ai prej tyre.

Gjatë vitit të kaluar këngëtari i famshëm i muzikës country u shtrua disa herë në spital për t’u kuruar nga tensioni lartë dhe temperatura. Ai vdiq më 26 prill në moshën 81-vjeçare.
XS
SM
MD
LG