Lidhje

Dështojnë bisedimet për formimin e qeverisë gjermane


Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha të hënën se përpjekjet e saj për formimin e qeverisë dështuan, një zhvillim që mund ta çojë Gjermaninë në një krizë politike dhe më afër zgjedhjeve të parakohshme.

Demokratët e Lirë, (FDP) u tërhoqën papritmas nga bisedimet pas më shumë se katër javë negociatash me konservatorët e zonjës Merkel dhe të gjelbrit, duke iu referuar dallimeve të papajtueshme.

Euroja shënoi rënien më të madhe në dy muajt e fundit ndaj jenit, pas deklaratave të bëra nga udhëheqësi i FDP-së, Christian Lindner, i cili tha të dielën se partia e tij u tërhoq meqë partnerët nuk po gjenin gjuhë të përbashkët për çështjet kryesore.

“Më mirë është që të mos qeveriset, se sa të qeveriset keq”, tha zoti Lindner.

Zonja Merkel u duk e lodhur ndërkohë që njoftoi se do të vazhdojë të kryej detyrën e kancelares dhe do të këshillohet me presidentin Frank-Walter Steinmeier se si të ecet më tej. Ajo tha megjithatë se marrëveshja ishte shumë afër.

"Kjo është një ditë reflektimi të thellë se si do të ecim përpara në Gjermani", u tha zonja Merkel gazetarëve. "Si kancelare, do të bëj gjithçka që ky vend të drejtohet si duhet në javët e vështira që po vijnë".

Ishte një çast kthjellje në karrierën e një gruaje, e cila gjatë 12 vjetëve në pushtet u shndërrua në simbol të qëndrueshmërisë, duke drejtuar eurozonën gjatë krizës së borxheve dhe duke siguruar një marrëveshje ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Turqisë për të ndalur valën e imigrantëve.

Pozicioni i zonjës Merkel u dobësua pas zgjedhjeve të shtatorit kur votuesit e zemëruar me vendimin e saj të vitit 2015 për t'u hapur kufijtë e Gjermanisë më shumë se një milionë strehim kërkuesve i ndëshkuan konservatorët e saj, duke votuar për partinë e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD).

Dështimi i bisedimeve lë të hapura dy mundësi të pashembullta për Gjermaninë e pas Luftës së Dytë Botërore: zonja Merkel të formojë një qeveri të pakicës, ose që presidenti të shpallë zgjedhjet e reja nëse qeveria nuk formohet.

Social Demokratët e qendrës së majtë, (SPD), partnerët e tanishëm në koalicionin me zonjë Merkel, që dolën të dytët në zgjedhje, kanë hedhur poshtë mundësinë për përsëritjen e një aleance me konservatorët të cilët fituan, por me më pak vende në parlament.

Megjithatë, aleati i zonjës Merkel, Jens Spahn, tha se ende nuk po mendon për zgjedhje të reja. "Disa ministra të SPD-së e kanë bërë të qartë se duan të qeverisin", i tha ai televizionit. "SPD-ja duhet të vendosë nëse dëshiron të marrë përgjegjësi për vendin më të madh në qendër të Evropës".

Aktualisht në Gjermani ka pak oreks për zgjedhje të reja. Partitë kryesore druajnë se AfD mund të fitojë më shumë se 13 për qind të votave që mori në shtator.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG