Në muajin nëntor, kur konservatorët e Kancelares gjermane Angela Merkel ranë dakord të mbështesnin socialdemokratin Frank-Walter Steinmeier si president të ardhshëm të, ky vendim krijuar një boshllëk në Ministrinë e Jashtme në një moment kritik në marrëdhëniet me Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara. Kampi politik i zonjës Merkel do të dëshironte të dilte me kandidatin e vet, por vendosi të mbështesë rivalin Steinmeier për këtë post kryesisht ceremonial. Qëllimi ishte të shmangej një betejë e zgjatur me partinë e tij, partnere e zonjës Merkel në koalicionin qeverisës.
Zoti Steinmeier, i cili para zgjedhjeve amerikane e quajti republikanin Donald Trump "predikues të urrejtjes", tha nëntorin e kaluar se shpresonte që presidenti i zgjedhur do të ndryshonte kurs sapo të hynte në Shtëpinë e Bardhë dhe do të kuptonte se "bota është më komplekse, se ndryshimi i klimës është i vërtetë dhe se NATO-ja nuk është e vjetëruar."
Zonja Merkel komentoi në atë kohë se Steinmeier ishte njeriu i përshtatshëm për të qenë kreu i shtetit.
Synimi i Kancelares për të manifestuar një front të bashkuar mori një urgjencë të re pas zgjedhjes së zotit Trump president, në një kohë kur partitë kundër establishmentit po shtrihen në të gjithë Evropën dhe koalicioni kundër emigrantëve, Alternativa për Gjermaninë, ka arritur fitore të shpejta.
Ministri i ri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, gjendet përpara një detyre mjaft të vështirë, tani që Gjermania përpiqet të forcojë unitetin brenda Bashkimit Evropian, të frenojë agresivitetin e Rusisë dhe të vendosë një marrëdhënie të re me Uashingtonin.
Vendimi për të mbështetur zotin Steinmeier i hap atij rrugën për t’u zgjedhur më 12 shkurt në postin e presidentit që mbahet aktualisht nga Joachim Gauck, një pastor Luterian, i njohur si udhëheqës anti-komunist në ish-Gjermaninë Lindore.
Zoti Steinmeier është një politikan i pëlqyer dhe i respektuar në Gjermani, pavarësisht humbjes si kandidat për kancelar në vitin 2009.