Lidhje

Vazhdon kërkimi për të dyshuarin kryesor për sulmin në Gjermani


Tregu i Krishlindjeve në Berlin ku mbetën të vrarë 12 persona nga sulmi me kamion të hënën, u rihap në praninë e forcave të shtuara policore dhe barrierave të betonit në skajet e tij.

Organizatorët morën vendimin për ta rihapur tregun pa muzikë apo drita, që janë zëvendësuar nga qirinjtë dhe lulet në vendin ku ndodhi sulmi për të nderuar personat që humbën jetën.

Autoritetet janë të përfshira në një përpjekje intensive në mbarë Evropën për të kapur një 24 vjeçar tunizian që zyrtarët gjermanë thonë se duhet të ishte deportuar muaj më parë.

Anis Amrit, i dyshuar kryesor për sulmin, i ishte refuzuar kërkesa për azil dhe ka qënë nën vëzhgimin e policisë pas një informacioni se ishte përpjekur të blinte armë për një sulm të mundshëm, por se hetuesit e kishin mbyllur çështjen e tij në shtator.

Ministri i jashtëm gjerman Thomas de Maiziere tha gjatë një konference për shtyp të enjten se “ka propabilitet të lartë” që Amri është përgjegjës për sulmin.

"Mund të njoftojmë sot se kemi informacione të reja që i dyshuari ka propabilitet të lartë të jetë autori”, tha ai.

Policia gjeti dokumenta identifikimi të Amrit dhe shenja e gishtave në kabinën e kamionit, konfirmuan zyrtarët gjermanë.

Aplikimi i tij për azil u refuzua gjashtë muaj më pare, por ai nuk u deportua në Tunizi për arsye se kishte problem me dokumentat.

Këto informacione të reja kanë ngritur pikëpyetje në Gjermani rreth vetingut të mijëra njerëzve të ardhur në vend që kërkojnë azil. Kancelarja gjermane Angela Merkel tha një ditë pas sulmit se do të jetë e vështirë të pranohej nëse një azil-kërkues ishte përgjegjës.

"Kjo do të ishte e vështirë të pranohej nga shumë, shumë gjermanë që punojnë për të ndihmuar çdo ditë refugjatë dhe për shumë të tjerë që kanë vërtetë nevojë për ndihmën tone dhe po bëjnë përpjekje të integrohen në vendin tone”, tha zonja Merkel.

Anëtarët e familjes së Amrit thanë se ishin të habitur që ai ishte i dyshuari kryesor për sulmin dhe vëllai i tij i bëri thirrje të dorëzohej.

Ai tha se Anis u largua nga Tunizia në vitin 2011 për të shkuar në Evropë dhe mund të jetë radikalizuar në një burg italian ku kreu një dënim prej tre vjetësh pasi i vuri zjarrin një strehe refugjatësh.

Pasi doli nga burgu, Amri mbërriti në Gjermani në korrik të vitit 2015 ku kërkoi azil. Kërkesa e tij u refuzua por ai nuk mund të deportohej pasi nuk kishte pasaportë dhe Tunizia kundërshtoi ta pranonte në vend.

Meqë nuk mund të deportohej, Amrit iu lëshua një dokumentacion që është letra që policia gjeti në kamionin që vrau 12 persona.

Zonja Merkel tha të enjten se ishte krenare për qetësinë e reagimit të publikut për sulmin.

"Jam e sigurtë se do ta kalojmë provën që kemi përpara”, tha Merkel.

Një zyrtar i Departamentit të Shtetit tha se dy qytetarë amerikanë ishin mes 48 personave të plagosur gjatë sulmit por nuk dha hollësi të tjera rreth tyre.

Grupi Shteti Islamik tha se ishte pas sulmeve përmes thirrjeve për të sulmuar vende anëtare të koalicionit që po lufton grupin në Siri dhe Irak.

Para se emri i Amrit të dilte si i dyshuari kryesor, policia arrestoi një pakistanez por më pas e liroi atë.

XS
SM
MD
LG