Presidenti afgan i ofroi sot garanci popullit se të drejtat e tyre nuk do të cënohen në emër të paqes me talebanët. Deklarata u bë pasi i dërguari i Shteteve të Bashkuara për arritjen e një zgjidhjeje për luftën më të gjatë në historinë amerikane njoftoi se është arritur progres domethënës në bisedimet me rebelët. Ambasadori Zalmay Khalilzad i tha gazetës "The New York Times" se zyrtarët amerikanë dhe ata talebanë kanë rënë dakort në parim për kuadrin e një marrëveshjeje paqeje me rebelët.
Zoti Khalilzad citohet të ketë thënë se "marrëveshja kuadër, e cila duhet ende të detajohet përpara se të shndërrohet në një marrëveshje" të vërtetë, do të parashikonte një angazhim të talebanëve për të garantuar se territori afgan nuk do të përdoret si një "platformë për grupe terroriste ndërkombëtare apo individë".
Sipas të dërguarit amerikan, marrëveshja mund të rezultojë në një tërheqje të plotë të forcave amerikane, në këmbim të një marrëveshjeje armëpushimi me talebanët dhe bisedimeve me qeverinë afgane.
Nga ana e tij, Presidenti Ghani u përpoq të sigurojë afganët se asnjë marrëveshje nuk do të bëhet pa dijeninë e plotë të Kabulit dhe pa pjesëmarrjen e plotë në negociata.
"Angazhimi ynë është për të mundësuar paqen dhe për të parandaluar katastrofa të mëtejshme", u shpreh ai sot në një fjalim drejtuar popullit afgan. "Ekzistojnë disa vlera të padiskutueshme, si uniteti kombëtar, sovranitetit kombëtar dhe integriteti territorial".
Presidenti Ghani dhe Ambasadori Khalilzad u takuan gjatë mbrëmjes të së dielës në Kabul. Në një deklaratë të qarkulluar sot nga zyra e Presidentit Ghani thuhet se i dërguari amerikan informoi për detajet e raundit më të fundit të bisedimeve me talebanët në Katar. Deklarata citon zotin Khalilzad të ketë thënë se ka diskutuar me talebanët për një armëpushim, por se nuk pati progres për këtë çështje.
Ambasadori Khalilzad u takua me talebanët disa herë gjatë muajve të fundit. Në përpjekje për t'i dhënë fund luftës më të gjatë në historinë amerikane, takimi më i fundit u zhvillua në Katar, ku talebanët kanë një zyrë përfaqësimi politik. Shtetet e Bashkuara ndërhynë në Afganistan pas 11 shtatorit 2011, duke rrëzuar regjimin taleban, të cilët strehonin Osama bin Ladenin dhe al-Kaidan.
Facebook Forum