Lidhje

Në përgatitje të zgjedhjeve komunale në Gjakovë


Më 22 tetor në Kosovë mbahen zgjedhjet për pushtetin komunal, në të cilat do të konkurrojnë 91 subjekte politike të të gjitha komuniteteve.

Në kuadër të mbulimit të fushatës për këto zgjedhje Zëri i Amerikës do të sjellë frymën e debateve në disa komuna të Kosovës. Korrespondentja Edlira Bllaca, kësaj radhe sjell një pasqyrë të përgatitjeve për këto zgjedhje në komunën e Gjakovës.

Përgatitje për zgjedhjet komunale në Gjakovë
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:54 0:00

Gjashtë subjekte të ndryshme politike kanë vënë kandidaturat e tyre për postin e kryetarit të Gjakovës që shtrihet në pjesën perëndimore të Kosovës. Të gjithë ata po përpiqen të sigurojnë shumicën e rreth 100 mijë votuesve në zgjedhjet komunale të 22 tetorit.

Konkurrenca më e fortë zhvillohet ndërmjet tri partive, Alternativës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Kryetarja aktuale e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, kandidate e Alternativës, e cila drejton komunën që nga viti 2013, thotë se ajo ka vendosur një standard të ri të qeverisjes transparente në këtë komunë, por i duhet edhe një mandat tjetër për të përmbushur qëllimet e saj.

“Të kesh një katër vjeçar të mbushur me probleme të trashëguara por gjithashtu edhe me arritje, nuk mjafton që të shohësh rezultatin e të gjitha këtyre arritjeve. Prandaj, kërkojmë edhe një katër vjeçar në mënyrë që me sukses të finalizojmë projektet e filluara, në mënyrë që shumë procese të cilat kanë fillu dhe janë bërë pjesë e menaxhimit komunal, të ngurtësohen dhe të kenë një stabilitet të mirëfilltë që askush më të mos mund të kthejë mbrapa zhvillimin e komunës së Gjakovës, dhe përfundimisht Gjakova të dalë nga një amulli e cila e karakterizon që nga përfundimi i luftës”, tha zonja Kusari-Lila.

Ndërsa kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, thotë se në fakt Gjakova ka nevojë për një model të ri të qeverisjes i cili do ta kishte në plan të parë qytetarin e Gjakovës.

“Aleanca është përgatitë jashtëzakonisht shumë për me ju ofru qytetarëve një qeverisje të re, një qeverisje që ka me qenë me ta gjatë gjithë kohës, me projekte të reja, me një model të ri qeverisës që është një menaxhim i ri publik, do të provojmë t’i bëjmë njerëzit pronarë të procesit, mos me e mbajt procesin të izolum prej qytetarit. I kemi të gjitha përgatitjet të kryme, i kemi të gjithë parametrat që garantojnë se qytetarët e Gjakovës do ta kenë një qeverisje krejt tjetër, diçka që nuk kanë pa deri më tani”, tha zoti Gjini.

Kandidati i Vetëvendosjes, Driton Çaushi, thotë se qytetarët e Gjakovës kanë nevojë për ndryshim sepse janë të zhgënjyer me qeverisjet paraprake dhe këtë ndryshim, sipas tij, do ta sjellë Vetëvendosja.

“Një prej arsyeve pse Gjakova është në këtë gjendje është keqqeverisja e të gjitha mandateve e të gjitha qeverisjeve deri më tash, duke marrë parasysh edhe shkatërrimin e madh që pësoi si komunë gjatë luftës në njerëz, në dëme materiale por edhe rrënimin e gjithë asaj industrie e cila pasoi me një keqqeverisje ku edhe për këto katër vitet e fundit nuk është se qytetarët ndryshuan në ato që komuna do të duhej të ofronte. Besoj qe ne kemi grupin më të mirë të njerëzve, ekipin më të mirë, kandidatët më të mirë për asamble, por më e rëndësishmja e kemi një program tepër konkret ku secili qytetar mund ta gjejë veten”, tha zoti Çaushi.

Por, cilat janë zotimet e kandidatëve në këmbim të votës së qytetarëve të Gjakovës.

“Sot shumë kompani të vogla prodhuese në komunën e Gjakovës kanë nevojë për punëtorë, dhe ka shumë punëkërkues që kanë nevojë për punë, por që kjo urë lidhëse e cila ka fillu të ndërtohet edhe në mandatin e kaluar përmes panaireve të punës e aftësimit profesional duhet të forcohet dhe të përshpejtohet. Një element tjetër është përmbyllja e projekteve të investimeve strategjike, në Gjakovë fillon së shpejti ndërtimi i ngrohtores së re të qytetit, impiantit të ujerave të zeza, finalizimi i projektit të ujit të pijes, donacion ky që e kemi marrë nga qeveria zvicerane dhe përfshin gjysmën e fshatrave aktuale të komunës së Gjakovës. Gjithashtu promovimi më i madh i trashëgimisë kulturore dhe promovimi i Gjakovës si destinacion turistik në bashkëpunim edhe me malësinë e Gjakovës..", tha zonja Kusari-Lila.

“Ka shumë sfida definitivisht, sikur edhe gjetiu në Kosovë. Nëpër fshatra ka mungesë të ujit të pijes dhe kanalizimeve, në qytet ka mungesë të parkingjeve, definitivisht ka mungesë të vendeve të punës dhe zhvillimit ekonomik. E para është që do të vazhdojmë me subvencion të ndërmarrjeve që të mund të jenë profitabile dhe të krijojnë vende të punës, nuk do ta ndërpresim subvencionimin. Po ashtu do ta krijojmë një këshill që ne e quajmë publiko-privat ku do t’i ftojmë të gjitha ndërmarrjet e Gjakovës në takime të rregullta, të shohim si mund ta ndihmojmë njëri-tjetrin edhe zyrtarët e komunës, por edhe bizneset mes veti, E treta është shumë shpejt do të vazhdojmë me zonën e re ekonomike, një zonë industriale që ka dështu 3 herë deri tani, por e kemi premtimin e qeverisë që do të ecim shpejtë me këtë zonë dhe e fundit kemi fillu t’i kontaktojmë bashkëatdhetarët tanë jashtë edhe në Evropë edhe SHBA ata që kanë potenciale investimi mbi 10 milionë, mendojmë që janë rreth 27 e shumë prej tyre janë të gatshëm të vijnë e të investojnë në Gjakovë”, tha zoti Gjini.

“Arsimi është një nga prioritetet tona, ku synojmë me një program të faktuar dhe konkret të përmirësojmë këto kushte, me masa të ndryshme të nxisim rritjen e cilësisë duke shtuar kabinetet në shkolla, duke shtuar kabinetet në shkolla, duke shtuar këndet e leximit dhe bibliotekat, që është e realizueshme, duke e siguruar një shujtë për secilin nxënës nga klasa e parë në të pestë. Pra disa masa të këtilla për ta përmirësuar këtë çështje. Shëndetësia është gjithashtu duke pësuar nga keqqeverisja dhe këtu kemi paraparë disa ndërhyrje që janë të realizueshme e të cilat do të rezultojnë më një shërbim më të mirë të shëndetit primar. Shërbimet tjera publike siç janë hapësirat publike, parkingjet, mbeturinat, kanalizimi, ujësjellësi do të jenë natyrisht prioritet i yni për shkak se janë e drejtë njerëzore dhe këto kemi thënë do t'i realizojmë për aq sa mundemi brenda mandatit tonë”, tha zoti Caushi.

Janë edhe tre kandidatë partish politike që synojnë pushtetin në këtë komunë, e cila deri tash ishte komuna e vetme e udhëhequr nga një grua në Kosovë. Të gjitha ata thonë se do të punojnë që Gjakovën ta shndërrojnë sërish në një komunë që dikur radhitej në mesin e zonave më të zhvilluara në Kosovë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG