Lidhje

Gjatë protestave në Afganistanin verior vriten 7 punonjës të OKB-së


Gjatë protestave në Afganistanin verior vriten 7 punonjës të OKB-së
Gjatë protestave në Afganistanin verior vriten 7 punonjës të OKB-së

Kombet e Bashkuara thonë se shtatë anëtarë të huaj të personelit të tyre u vranë dje në një sulm kundër kompleksit të OKBsë në Mazar-e-Sharif, kryeqyteti i provincës Balkh, në veri të Afganistanit, pas një proteste kundër djegies së Kuranit që përfundoi me ushtrimin e dhunës. Zyrtarët afganë thanë se mbi 20 njerëz u plagosën. Autoritetet thanë gjithashtu se të paktën 25 vetë u ndaluan pas sulmit. Ndërkaq, zyrtarët e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Sekretari i Përgjithshëm kanë dënuar ashpër sulmin ndaj kompleksit të OKBsë.

Disa qindra demonstrues u mblodhën jashtë kompleksit të Kombeve të Bashkuara në Mazar-e-Sharif për të protestuar kundër djegies së Kuranit nga një pastor në Florida para 10 ditësh. Shefi i paqeruajtësve të OKB-së, Alan LëRoi informoi Këshillin në hollësi për sulmin, sipas të dhënave që mori nga diplomati më i lartë i Kombeve të Bashkuara në Afganistan, Stefan de Mistura, i cili shkoi menjëherë në Mazar-e-Sharif për të drejtuar hetimet.

"Atje u zhvillua një demonstratë e rëndësishme dhe një pjesë e demostruesve të armatosur u dyndën me shpejtësi në kompleksin e Kombeve të Bashkuara, i vunë zjarrin dhe vranë disa nga punonjësit tanë”.

Lë Roi u tha gazetarëve se mes të vrarëve ishin tre civilë, një suedez, një norvegjez dhe një rumun, si dhe katër roje nepaleze që ishin marë në punë për të mbrojtur kompleksin. Ai tha se mes të vrarëve nuk pati asnjë punonjës afgan.

Lë Roi tha se tani për tani të dhënat tregojnë se sulmuesit synonin të godisnin objektiva ndërkombëtare.

"Ne nuk jemi aspak të sigurt nëse Kombet e Bashkuara ishin objektiv i sulmit. Ndodhi që OKB-ja ishte atje ku zhvilloheshin demonstratat, Unë vetë e diskutova ngjarjen me Përfaqësuesin e Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm, zotin de Mistura, dhe përshtypja e tij deri tani është se objektiv i sulmit nuk ishin Kombet e Bashkuara. Ata donin të kishin një objektiv dhe natyrisht përdorën këtë. Ndoshta ata donin të gjenin një objektiv ndërkombëtar dhe Kombet e Bashkuara ishin ai në Mazar-e-Sharif".

Ai tha se Kombet e Bashkuara do të evakuojnë përkohësisht personelin e tyre në Mazar-e-Sharif, ndërkohë që po rishikohen masat e sigurimit. Lë Roi njoftoi gjithashtu se dy këshilltarë të lartë të Sekretarit të Përgjithshëm si dhe shefi i sigurimit të OKB-së janë nisur mbrëmë për në Kabul.

Më herët në Nairobi të Kenias, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun dënoi sulmin si një akt “indinjues dhe prej frikacakësh” dhe tha se ai nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë. Ndërsa në një deklaratë të tij, Këshilli i Sigurimit dënoi gjithashtu ashpër sulmin dhe u bëri thirrje autoriteteve afgane t’i nxjerrin fajtorët para drejtësisë.

XS
SM
MD
LG