Lidhje

Gjendja në veriun e Kosovës e qetë, por e tensionuar


Gjendja në veriun e Kosovës e qetë, por e tensionuar
Gjendja në veriun e Kosovës e qetë, por e tensionuar

Komandanti i forcave paqeruajtëse, gjenerali gjerman Erhard Drews u bëri thirrje sot protestuesve serbë në veri që të mënjanojnë barrikadat ndërsa tërhoqi vërejtjen se në të kundërtën do të jetë i detyruar të përmbushë mandatin e tij për të rivendosur lirinë e lëvizjes edhe në atë pjesë të Kosovës. Ai i bëri këto komente gjatë vizitës që u bëri trupave të tij afër një barrikade në fshatin Zupc të komunës së Zubin Potokut, me ç’rast tha se do të dëshironte që barrikadat në veriun e Kosovës të largohen në mënyrë paqësore, por KFOR-i është i gatshëm që t’i largojë ato edhe me forcë.

Trupat e NATO-s kanë bërë të ditur se gjendja në pjesën veriore të Kosovës është e qetë, ndërsa paralajmëruan vazhdimin e aksioneve për largimin e barrikadave me qëllim të vendosjes së lëvizjes së lirë. Një ditë më parë, ato filluan një aksion për zhbllokimin e rrugëve që çojnë drejt vendkalimit kufitar në Bërnjak në veriun e Kosovës. Forcat e KFOR-i përdorën gazin lotsjellës për të shpërndarë protestuesit që po kundërshtonin largimin e barrikadave. Aksioni i djeshëm la pas vetes 30 të plagosur, nga të cilët tetë pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të NATO-s dhe 22 protestues serb, plagë këto të shkaktuara kryesisht nga gazi lotsjellës.

Beogradi zyrtar u bëri thirrje serbëve të Kosovës për përmbajtje dhe qetësi, ndërsa vetëpërmbajtje kërkoi edhe nga forcat paqeruajtëse.

Dhuna e djeshme është dënuar nga Bashkimi Evropian, i cili u ka shprehur mbështetje të plotë KFOR-it dhe EULEX-it në përpjekjet për vendosjen e qetësisë në veri. Dhuna u dënua edhe nga institucionet vendase e ndërkombëtare në Kosovës, të cilët e kanë përkrahur aksionin e trupave paqeruajtëse të NATO-s për zhbllokimin e rrugëve në veriun e vendit.

Aksioni i forcave të NATO-s pasoi afatin e caktuar për zhbllokimin e rrugëve, por serbët në veriun e Kosovës refuzuan thirrjet e KFOR-it për të hequr barrikadat e ngritura në rrugët kryesore në atë zonë, në shenjë kundërshtimi ndaj vendosjes së policisë dhe doganierëve të Kosovës në vendkalimet kufitare me Serbinë.

XS
SM
MD
LG