Lidhje

Kush ishte gjenerali Vo Nguyen Giap?


Njëri prej komandantëve më të njohur të luftës së Vietnamit, Gjenerali Vo Nguyen Giap, vdiq më 4 tetor në një spital ushtarak, në moshën 102 vjeçare. Megjithë nderimin dhe respektin e madh në mbarë vendin për këtë figurë, për karrierën shumëvjeçare të gjeneralit si gjatë, ashtu edhe pas luftës, ka patur mendime kundërthënëse, sidomos mes aktivistëve politikë të Vietnamit. Korrespondenti Marianne Brown njofton nga Hanoi.

Lajmi për vdekjen e Gjeneralit Vo Nguyen Giap u përhap me shpejtësi të premten në mbrëmje në mediat sociale dhe ai u pasua menjëherë me reagime të ndryshme.

Gjeneralit i njihet merita e organizatorit dhe projektuesit të betejës në Dien Bien Phu në vitin 1954, që çoi në fundin e sundimit të kolonializmit francez në Vietnam. Gjenerali po ashtu thuhet se është figura qendrore në mposhtjen e Vietnamit të Jugut më 1975, që i dha fund asaj që vietnamezët e quajnë Lufta Amerikane.

Strategu ushtarak, po ashtu konsiderohet si themeluesi i Ushtrisë Popullore të Vietnamit dhe ai ishte mik i ngushtë me presidentin Ho Chi Minh.

Vëmendja për vdekjen e një figure të tillë historike, hedh dritë tek udhëheqja aktuale e Vietnamit dhe puna e saj, thotë Jonathan London, analist për Vietnamin dhe asistent profesor në "City University" të Hong Kongut.

"Vdekja e tij në një farë mënyre sjell në vëmendje punën dhe legjimitetin e udhëheqjes aktuale në Vietnam, prandaj ajo nevojitet ta trajtojë këtë çështje, për shkak të ndjeshmërisë që ajo bart."

Pas luftës, gjenerali Giap ngriti shqetësime lidhur me përshtatjen e shpejtë të vendit me reformat ekonomike të tipit sovjetik dhe për politikën e jashtme. Më vonë ai u tërhoq nga politika vietnameze dhe doli në pension si zëvendës kryeministër në vitin 1991.

Profesori London thotë se udhëheqja vietnameze do ta kontrollojë njoftimin zyrtar për vdekjen e tij, duke u përqëndruar tek fitoret e tij ushtarake, por kjo mund të jetë e vështirë, për shkak të qëndrimeve politike të tij në vitet e mëvonshme. Profesori London thotë se gjenerali Giap pati ngritur një sërë shqetësimesh lidhur me qëndrime të qeverisë vietnameze, që ngjallën interes mes popullësisë.

Disa persona që mbrojtën idetë e gjeneralit u vunë në shënjestër nga qeveria.

Kur në Hanoi filluan protestat kundër Kinës, më 2011, disa prej pjesëmarrësve në marshim mbanin në duar fotografi të gjeneralit.

Nguyen Quang Thach ishte një prej tyre. Ai beson se populli vietnamez duhet të mishërojë shpirtin e gjeneralit Giap, por jo thjesht për t'iu kundërvënë Kinës.

"Në këto momente qytetarët tanë duhet ta transformojnë shpirtin e gjenerali në zemrat tona, në mënyrë që vendi të fitojë në shumë beteja të tjera, si në reformat në ekonomi dhe arsim edhe në modernizimin e ushtrisë."

Po jo të gjithë aktivistët kanë të njëjtin mendim pozitiv si zoti Thach. Ndërsa gjenerali Giap mbeti një zë me ndikim në Vietnam deri në moshën mbi 90 vjeçare, disa thonë se ndikimi i tij është zbehur vitet e fundit, ndërsa u shtrua në spital, larg syrit të publikut.

Përsëri profesori Jonathan London:

"Gjenerali u shtrua në spital për 3-4 vjet, kështu që vdekja e tij pritej prej vitesh. Ndërkohë, mendoj se kultura politike në Vietnam ka ndryshuar shumë në një periudhë shumë të shkurtër kohe…"

Për ata persona që shkuan në Shtetet e Bashkuara pas luftës, reagimet ndaj vdekjes së gjeneralit janë të ndryshme nga ato në kryeqytetin vietnamez. Shumë vetë nga diaspora vazhdojnë të kenë simpati të madhe për Partinë Komuniste, thotë Duy Hoang, zëdhënës i organizatës pro-democracisë Viet Tan, e cila është e ndaluar në Vietnam.

"Unë mendoj se në propagandën brenda në Vietnam dhe po ashtu, të disa intelektualëve nga Perëndimi, flitet gjithmonë se si gjenerali Giap i largoi amerikanët. Por unë mendoj se ata harrojnë faktin se për 20 vjet në Vietnam u zhvillua një luftë civile mes vetë vietnamezëve, një luftë vëlla me vëlla për shkak të ideologjive të ndryshme. Në fund të fundit, mendoj se humbësit në atë luftë ishte vetë populli vietnamez."

Megjithatë, zoti Duy shton se diaspora duhet ta vlerësojë rolin që gjenerali luajti në luftën kundër kolonializmit në vend.

"Ne duhet t'ja njohim Gjeneralit Giap rolin që ai pati në lëvizjen për pavarësinë, kjo është një meritë që jo të gjithë në komunitetin jashtë vendit duan ta pranojnë."

Funerali i gjeneralit Vo Nguyen Giap do të mbahet në shtunën në in Hanoi.
XS
SM
MD
LG