Udhëheqësit evropianë u përpoqën së tepërmi të arrinin një marrëveshje për planin që do të zgjidhte krizën e borxhit të kontitentit në takimin e tyre të dytë të kësaj jave në Bruksel. Ndërsa dihen disa elementë të përgjithshëm të planit, nuk janë bërë të njohura ende hollësitë e tij.
Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se mbeten shumë probleme për t’u zgjidhur, ndërsa kryeministri i Luskemburgut Zhan Klod Xhanker tha se krerët e shteteve mundet të mos jenë të aftë t’i zgjidhin të gjitha aspektet e marrëveshjes.
Një nga çështjet e planit, se ç’sasi të borxhit do t’i falin bankat Greqisë për borxhin që Athina u detyrohet atyre, ishte veçanërisht e vështirë të zgjidhej. Udhëheqësit evropianë kërkojnë që bankat të dalin me 60 për qind humbje tek letrat me vlerë, ndërkohë që vetë bankat ofrojnë një shifër shumë më të vogël.