Lidhje

Ministri Gjiknuri padit 3 ish ministra për humbjet në OSSH dhe CEZ


Ministria e energjisë dhe industrisë dorëzoi sot në prokurori dosjen e privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes për favorizimin e kompanisë CEZ a.s gjatë aktivitetit të saj dhe mosmarrjen e masave në mbrojtje të interesave të shtetit shqiptar, pas heqjes së licencës së saj.

Ministri Gjiknuri padit 3 ish ministra për humbjet në OSHEE dhe CEZ
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:54 0:00

Pas një kontrolli të detajuar ministria e energjisë kallëzoi në prokurori 3 ish-ministrat Genc Ruli, Ridvan Bode dhe Florjon Mima për një dëm të shkaktuar buxhetit të shtetit mbi 414 milion euro.

Bashkë me tre ish-ministrat, ministria e energjisë paditi edhe dy ish-zv.ministrat Enno Bozdo dhe Neritan Alibali; ish-këshilltaren e ish-kryeministrit, Suzana Guxholli; ish-drejtoreshën në ministri Mimoza Vokshi, si dhe disa zyrtarë të tjerë.

Kryetari i Partisë Demokratie të opozitës, Lulzim Basha, reagoi menjëherë, duke e quajtur atë një “pseudo-padi per t'u hedhur hi syve shqiptareve”.

Zoti Basha deklaroi se qeveria humbi shansin për hetim të drejte dhe të pavarur të kësaj çështje, por nuk e bëri, sepse hetimi, sipas tij, do të nxirrte në dritë vjedhjen e vetë socialistëve me 600 milionë euro, të cilët ndaluan hetimin e tij me ligj.

Por çfarë përmban padia e dorëzuar sot?

Privatizimi i OSSH, sipas ministrisë së energjisë, është një nga proceset më abuzive të kryera nga qeveria Berisha, i parakohshëm, në kundërshtim të hapur me aktet ligjore e nënligjore, me favorizime dhe shkelje të barazisë në tendera.

Sipas ministrisë ai është një proces fiktiv, me fitues të paracaktuar pa nisur privatizimit dhe i parashikueshëm qysh në fillim si një privatizim i dështuar.

Nga këto veprime të paligjshme CEZ a.s. nxori përfitime të padrejta, thotë ministria, duke dëmtuar rëndë interesat e shtetit dhe të konsumatorëve shqiptarë.

Veprimet ose mosveprimet e personave përgjegjës, theksoi padia, shkaktuan një dëm financiar rreth 414 milion Euro.

Dëmet kanë ardhur nga ngritja e çmimit me pakicë, nga rivlerësimi i borxhit të keq, nga ndryshimi tarifës së shitjes së energjisë, nga falje detyrimesh për kredi afatgjata, nga humbjet dhe nga detyrimet e pranuara.

Për këto dëme kërkohet që të mbahen përgjegjës Genc Ruli, ministër në ish METE dhe Neritan Alibali, zv. ministër në ish-METE, së bashku me persona të tjerë, anëtarë të grupit të negocimit të marrëveshjes.

Ata kallëzohen pasi kanë kryer veprime e mosveprime në kundërshtim me përmbushjen e detyrave të tyre funksionale gjatë përgatitjes, zhvillimit të procedurave të tenderimit dhe negocimit për nënshkrimin e Marrëveshjes së Shitjes së 76 % të aksioneve të OSSH-së.

Florjon Mima, ish-ministër i energjisë dhe persona të tjerë të pa identifikuar kallëzohen për kryerjen e veprimeve e mos veprimeve në kundërshtim me përmbushjen e detyrës, për ndjekjen e procedurave përkatëse pas heqjes së licencës së CEZ Shpërndarje.

Ridvan Bode, ish ministër i financave, Suzana Guxholli, ish këshilltare e ish-kryeministrit si dhe persona të tjerë, kallëzohen pasi me veprimet e mosveprimet e tyre, në vitin 2012 kanë hyrë në një proces për zgjidhjen me mirëkuptim të mosmarrëveshjeve rregullatore të lindura midis kompanisë CEZ Shpërndarje dhe ERE, si dhe kanë vijuar me dhënien e miratimeve, kanë ushtruar ndikim të paligjshëm, për vendime jashtë kompetencave të tyrë institucionale.

Enno Bozdo, ish-zv.ministër dhe persona të tjerë kallëzohen për propozim të akteve nënligjore, për tregues që janë kompetencë e institucioneve të pavarura rregullatore; si dhe kryerjen e veprimeve e mos veprimeve për ndjekjen e procedurave perkatëse pas heqjes së licencës së CEZ shperndarje.

Të paditurit, ish drejtues të lartë në institucionet shtetërore nxorën për privatizim një shoqëri të sapokrijuar, me rëndësi strategjike për interesat e vendit, e cila nuk kishte kryer asnjë bilanc energjitik të sajin, pa asnjë përvojë për të operuar në tregun e energjisë, pa astete të përcaktuara, duke e paraqitur OSSH si funksionale, me qëllim privatizimin me shpejtësi të saj.

Ata ndryshuan tregues të përcaktuar në Deklaratat Rregullatore, duke marrë kompetenca të Entit Rregullator.

Më pas ata shpallën fitues ofertuesin CEZ, në shkelje të hapur të kushteve minimale të performancës teknike, të cilat ishin shpallur me parë si kritere kualifikuese.

Padija thekson se ish-zyrtarët e akuzuar ndërmjetësuan me kompaninë CEZ për nivelin e borxhit të keq, që do të pranohej në llogaritjen e të ardhurave të kërkuara nga kompania, në kundërshtim e në kapërcim të kushteve të procedurës konkuruese, të përcaktuara më parë.

Ata negociuan treguesin e humbjeve totale, si tregues i kushteve minimale të performancës teknike, i panegocueshëm.

Të paditurit pranuan gjatë negocimeve të gjitha kërkesat e ofertuesit të bëra gjatë paraqitjes së ofertës teknike, nga mosnjohja e situatës, si pasojë e mosfunksionimit real të OSSH dhe mosqënies së saj e gatshme për privatizim.

Padija theksoi se procesi i rivlerësimit të çmimit të shitjes nuk vazhdoi sipas kushteve dhe afateve, ndaj ky ishte një proces fiktiv, me fitues të paracaktuar, me parregullsi dhe shkelje të shumta, duke i sjellë atij përfitime të padrejta e të pamerituara si dhe duke dëmtuar rëndë interesat e ligjshme të shtetit dhe publikut për shumën 414 milion euro.

Po ashtu, persona me autoritet shtetëror, pa asnjë tagër ligjor, kanë hyrë në një proces për zgjidhjen me mirëkuptim të mosmarrëveshjeve rregullatore të lindura midis kompanisë CEZ Shpërndarje dhe ERE.

Nuk administrohet asnjë dokumentacion se mbi Grupin e Punës dhe cili ka qënë qëllimi i tij.

Këta persona, në tejkalim të plotë të kompetencave që u ngarkon ligji, kanë rënë dakort me CEZ në dëm të interesave të kompanisë publike KESH.

Ata vijuan me dhënien e miratimeve dhe kanë ushtruar ndikim të paligjshëm, për një vendim-marrje që nuk i takonte institucionit të tyre, por ERE-s si një institucion i pavarur, i ngarkuar me ligj, për miratimin e tarifave të energjisë elektrike.

Në padi theksohen mosveprimet e strukturave përkatëse, pas heqjes së licensës: mosveprimi për vlerësimin e aseteve të shoqërisë CEZ sha; mosveprimi për fillimin e procedurave të shpronësimit të aksioneve, kundrejt një shpërblimi të drejtë, si dhe për mbledhjen e dokumentacionit provues; mosmarrja e veprimeve për hapjen e procesit gjyqësor ndërkombëtar ndaj kompanisë CEZ për mospërmbushje të detyrimeve të saj, të përcaktuara në kuadrin rregullator specifik, dëmtuan rëndë pozitën mbrojtëse të shtetit në arbitrazhin ndërkombëtar të filluar nga CEZ dhe jo nga pala shqiptare.

Këto mosveprime, sipas padisë së ministrisë, kanë qenë të qëllimshme, e me pasoja të rënda për buxhetin e shtetit, në kuadër të përfitimeve e privilegjeve të pa drejta që i ishin lejuar shoqërisë CEZ a.s. që në shpalljen e fituesit për privatizimin e OSSH, duke lënë pezull problemet, si dhe duke i lënë kësaj shoqerie kohë dhe mundësi për të filluar procesin gjyqësor ndaj shtetit shqiptar, e madje duke i krijuar CEZ a.s. hapësira e argumenta edhe për ta fituar këtë proces.

XS
SM
MD
LG