Lidhje

Presidenti Obama mirëpriti vendimin e Gjykatës së Lartë


Gjykata hodhi poshtë tre dispozita të rëndësishme të ligjit të miratuar në vitin 2010 por la në fuqi njërin nga nenet më të debatueshëm të tij

Presidenti Barack Obama mirëpriti vendimin e Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, e cila rrëzoi tre dispozita të rëndësishme të ligjit të imigracionit në shtetin e Arzionës.

Gjykata hodhi poshtë tre dispozita të rëndësishme të ligjit, i cili u miratua në Arizona në vitin 2010 si pjesë e masave të ndërrmara për të frenuar imigracionin e paligjshëm në vend.

Sipas ligjit cilësohej si krim aplikimi për punë nga emigrantët që nuk kanë leje pune; ligji kriminalizonte kapjen e emigrantëve pa dokumenta regjistrimi; dhe i jepte autoritet policisë të arrestonteë emigrantët që ata besonin se duheshin deportuar. Të treja këto dispozita u rrëzuan nga Gjykata e Lartë.

Por gjykata më e lartë e vendit la në fuqi njërin nga nenet më të debatueshëm të ligjit, i cili thotë se policët e Arizonës, kur kanë “dyshime të arsyeshme”, mund të kontrollojnë statusin e imigrantit të personave që ata ndalojnë për arsye të tjera.

Në një deklaratë me shkrim presidenti Obama shprehu shqetësimin e tij për atë që e cilësoi si “ndikimi praktik” i kësaj dispozite. “Asnjë amerikan”- tha ai - nuk duhet të jetojë nën hijen e dyshimit nisur vetëm nga paraqitja e tij”.

Guvernatorja e Arizonës Jan Brewer, e cila është republikane, tha se vendimi i gjykatës për nenin “ndalo e kontrollo” “përligji” shtetin e saj. Arizona, tha ajo u detyrua që të vepronte në vitin 2010 pasi qeveria federale dështoi për të vepruar në mënyrë agresive kundër imigracionit të paligjshëm:

“Arizona nuk kishte zgjidhje tjetër përveçse të vepronte dhe Arizona veproi duke ndjekur dhe jo ndryshuar ligjin federal.”

Zonja Brewer dhe zyrtarë të tjerë thonë se ata duan të sigurohen që klauzola “Ndalo e kontrollo” e ligjit të imigracionit nuk do të përdoret me prirje raciale.

Presidenti Obama tha se zbatusit e ligjit në Arizona duhet të sigurojnë se ligji nuk po zbatohet “ në një mënyrë që të minojë të drejtën civile të amerikanëve, ashtu siç e njeh edhe vendimi i Gjykatës”.

Stephen Yale Loher , i cili jep mësim për ligjin e imigracionit në fakultetin e Drejtsisë në Universiteton Cornell, thotë se vendimi i Gjykatës së Lartë do të ketë një ndikim të madh në Arizonë dhe shtete e tjera.

“ Gjykata shqyrtoi të gjithë ligjin federal të imigracionit dhe rrëzoi tre nga katër dispozitat e Arzionës të cilat ishin sfiduese. Madje edhe për të katërtin, nenin e kontrollimit të dokumentave, të cilin e la në fuqi, gjykata u shpreh: Ne do t’a ndjekim me kujdes dhe nëse ai zbatohet në mënyrë diskriminuese, ne do t’a rrëzojmë edhe atë. Ndaj edhe shtetet e tjera që kanë miratuar ligje të ngjashme do të vërejnë se duhet të jenë të kujdesshëm në përcaktimin e kritereve të ligjeve të imigracionit të cilët mund të bëhen kushtetues”. - thotë ai

Në një deklaratë me shkrim, kandidati i pritshëm republikan për president dhe ish guvernatori i Masaçusetsit Mitt Romney përsëriti mbështetjen e tij për ligjin e Arizonës.

Duke folur përpara mbështetësve financiarë të fushatës së tij në Arizona, zoti Romney tha se ai do të kishte preferuar që Gjykata e Lartë” t’u japë më liri veprimi shteteve’.
Zoti Romney kritikoi urdhërin ekzekutiv të Presidentit Obama të pak muajve më parë i cili bllokoi deportimin e mijëra të huajve të paligjshëm në moshë të re në Shtetet e Bashkuara.
XS
SM
MD
LG