Lidhje

Misioni i një laureati të çmimit Ushqimi Botëror


Studjuesi Gebisa Ejeta në Universitetin Purdue është i njohur në bujqësi për përmirësimin e drithrave në Afrikë. Laureati i çmimit Ushqimi Botëror për vitin 2009 ka filluar një mision për të ndihmuar botën që të kuptojë më mirë shkaqet e pasigurisë ushqimore, ndërkohë që popullata globale rritet.

Zyra me ajër të kondicionuar e Gebisa Ejeta në Universitetin Purdue është shumë larg kushteve në të cilat ai u rrit në Etiopi.

“Në lagjen ku u rrita nuk kishte asnjë shkollë dhe kur prindrit e mi, veçanërisht nëna ime vendosën që të më çonin në shkollë, e vetmja shkollë ishte rreth 20 kilometra larg”.

Megjithëse fshati i tij, Wollonkomi, nuk duket në shumicën e hartave, aty zoti Ejeta mësoi rreth rëndësisë së bujqësisë.

“Dhe kjo sepse bujqësia është mënyra kryesore e jetesës madje nuk ka asnjë alternativë tjetër. Megjithatë bujqësia është e rëndësishme në gjithë botën sepse ajo përbën nevojën bazë të njerzimit”.

Dhe kjo nevojë bazë po rritet gjithnjë e më shumë, ndërsa popullata botërore në rritje kërkon ushqime të ndryshme, diçka që zoti Ejeta e mësoi pasi u largua nga fshati i tij për të studiuar agronomi.

Ai erdhi në Shtetet e Bashkuara, ku mori doktoratë për studimin e bimëve në Universitetin Purdue dhe e futi në përdorim në projektin e tij të parë në teren, duke zhvilluar një hibrid drithërash në Afrikën nën-Sahariane.

“Ky hibrid ishte shumë produktiv dhe duronte thatësirën. Si rezultat ndryshoi ndjeshëm jetën e njerzve në atë rajon”.

Hibridi u pasua me të korra tek të cilat fermerët mund të vareshin, madje i siguroi zotit Ejeta çmimin e Ushqimit Botëror, gjë që ndihmoi misionin e tij për të ndryshuar perceptimet rreth ushqimeve.

Vitin e kaluar, ky mision çoi në krijimin e Qendrës Globale për Sigurinë Ushqimore në Universitetin Purdue, që kryesohet nga zoti Ejeta. Kjo qendër ndihmon universitete dhe organizata nëpër botë që të kuptojnë më mirë prodhimet bujqësore.

Gary Burniske, drejtori menaxhues i qendrës, thotë se sfida më e madhe është sigurimi i fondeve.

“Gjatë 20 vjetëve të fundit, ka pasur një rënie të ndjeshme të investimeve në bujqësi dhe në operacionet që kanë lidhje me prodhimet bimore dhe shtazore. Dhe si rezultat veçanërisht i krizës ushqimore të periudhës 2006-2008 ne kemi arritur në përfundimin se duhet ta zgjidhim me seriozitet çështjet e sigurisë ushqimore për garantimin e kësaj sigurie për 10, 20 deri 30 vjetët e ardhshëm”.

Zoti Ejeta shpreson që studentët, të cilët ndjekin programet e koordinuara nga qendra e tij të luftojnë urinë.

“Burimet e ujit dhe të tokës po bëhen gjithnjë e më shumë problematike, prandaj ne duhet të përfshijmë në sistemin tonë arsimor, që studentët tanë, brezi i ardhshëm i amerikanëve, ta kuptojnë kompleksitetin e sigurisë ushqimore në botë”.

Kjo siguri po kërcënohet, ndërsa ngrihet ndjeshëm kostoja e plehrave dhe e karburantit dhe më shumë njerëz përpiqen të kultivojnë artikuj ushqimorë në sipërfaqe më të vogla toke dhe me ujë të kufizuar.
XS
SM
MD
LG