Lidhje

Ndryshimet klimatike: çlirimi i gazeve arrin shifra rekord


Sipas një raporti të ri, çlirimi i gazeve që ngrohin planetin tonë, do të arrijë këtë vit, nivelin më të lartë që ka patur ndonjëherë.

Këto shifra janë treguesi më i fundit, se sa larg arritjes së objektivit të caktuar në Paris në vitin 2015 është bota, për shmangien e ndikimit të ngrohjes globale.

Ky studim vjen ndërsa negociatorët e Kombeve të Bashkuara po takohen në Poloni për raundin më të fundit të bisedimeve për t'iu kundërvënë ndryshimeve klimatike.

Çlirimi i gazeve pritet të rritet 2,7 për qind këtë vit, ndërkohë që vitin e kaluar pati një rritje prej 1.6 për qind. Në 3 vitet paraardhëse çlirimi i gazeve ishte në të njejtin nivel, pa rritje.

"Ndoshta ky vit është i pazakontë", tha autorja kryesore e studimit, Corinne Le Quere, e Universitetit të Anglisë Lindore. "Por ndoshta jo",

shtoi ajo. "Ne mendojmë se çlirimi i gazeve do rritet për disa vjet, në se situata nuk ndryshon në mënyrë drastike."

"Nuk çuditem nga ky fakt", - tha Alex Trembath, i Institutit Kërkimor Breakthrough, që nuk u përfshi në studim. "Ekonomia botëror po rritet dhe mënyra më e lirë për realizimin pjesës më të madhe të kësaj rritjeje, vjen nga teknologjitë e karburanteve fosile."

Sipas parashikimeve, në Kinë që është burimi më i madh në botë i gazeve të efektit serë, çlirimi i gazeve u rrit me 4.7 për qind këtë vit. Studjuesja Le Quere thotë se përpjekja e qeverisë për të fuqizuar ndërtimet dhe për të stimuluar rritjen ekonomike, shtoi kërkesën për lëndë si çeliku, alumini dhe çimento, të cilat shkaktojnë çlirimin e sasive të mëdha gazesh.

Në Shtetet e Bashkuara, qymyri ka vazhduar të zëvendësohet me gazin natyror, më pak ndotës; por si dimri i ftohtë, edhe vera e nxehtë, kanë shtuar kërkesat për energji, duke kontribuar në shtimin me rreth 2.5 për qind të çlirimit të gazeve.

Një faktor në këtë rrijte ka qenë edhe shtimi i përdorimit të naftës për transport. Konsumatorët amerikanë janë duke blerë përsëri makina më të mëdha.

Në 28 vendet e Bashkimit Europian, çlirimi i gazeve u ul me 0.7 për qind, edhe pse çlirimi i gazeve prej naftës u rrit.

Sektori i transporteve është "problemi më i madh në të gjithë botën", tha studjuesja Le Quere. "Nuk jemi duke e ndryshuar aspak situatën e çlirimit të gazeve nga transporti, megjithë faktin se kemi teknologjinë e makinave elektrike,"- tha ajo.

Një lajm i mirë është se energjia e rinovueshme është duke u rritur me shpejtësi. Kjo ka për të ndihmuar në pakësimin e gazeve në atmosferë, edhe me rritjen e madhe ekonomike të një tjetër gjigandi aziatik, Indisë.

"Nuk kemi për të parë çfarë pamë në Kinë në fillim të viteve 2000," kur ky vend e arriti ndotësin më të madh të atëhershëm, Shtetet e Bashkuara e më pas e dyfishoi çlirimin e gazeve", - tha studjuesja Le Quere.

Studjuesi Alex Trenbath paralajmëron megjithatë, se Afrika mbetet një pikëpyetje. "Shohim një rritje vjetore të prodhimit të përgjithshëm të Kinës dhe Indisë me 5-10 për qind, që vjen nga shumë vende të Afrikës Sahariane" - tha ai. "Kjo do të thotë shumë më tepër konsum të naftës dhe të gazit natyror."

Por sipas studjuesit, kjo nuk është diçka e keqe. "Këto janë vende tepër të varfëra, që përpiqen të arrijnë të njëjtin standart jetese, që ne gëzojmë në Shtetet e Bashkuara,"- tha Alex Trenbath.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG