Lidhje

Goditjet e heshtura në tru prekin kujtesën


Goditjet e heshtura në tru prekin kujtesën
Goditjet e heshtura në tru prekin kujtesën

Një goditje masive në tru mund të lërë dikë të paralizuar, pagojë, pajetë.Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se të paktën 6 milionë njerëz vdiqën nga goditje në tru vetëm në vitin 2008. Por jo të gjithë e dinë, kur kanë pasur një goditje të heshtur, e cila shfaqet pa asnjë simptomë. Një studim i ri tregon se goditjet e heshtura prekin më shumë njerëz sesa mendohej më parë. Këto goditje që mund të shkaktojnë humbjen e kujtesës prekin 25 përqind të të rriturve.

Rezultatet e një goditje janë dhimbje të dukshme si tek ky pacient që lufton për t'u ngritur nga një karrige me rrota dhe të eci përsëri.

Mpirje e papritur, dobësi fizike, vështirësi në të folur e kuptuar, dhe humbje të ekuilibrit janë të gjitha simptoma të zakonshme.

Pacientët me goditje në tru janë me fat nëse arrijnë të shkojnë në kohë në dhomën ergjencës për trajtimin e duhur, dhe me disa terapi fizike të arrijnë të rifitojnë aftësitë lëvizëse që kishin para goditjes.

Por shkencëtarët kanë zbuluar se një goditje e heshtur, pa simptoma të dukshme, shpesh nuk diagnostikohet ose nuk trajtohet. Personat me goditje të tilla vazhdojnë rutinën e përditshme, pa e ditur se diçka ka ndodhur brenda trurit të tyre. Dëmi është zbuluar vetëm kur pacienti i nënshtrohet një procedure të veçantë skanimi MRI, aparat me anë të cilit mjekët mund të shohin Imazhe me Rezonancë Magnetike të organeve të brendshme të njeriut, në këtë rast truri.

Në këtë skanim pamjet tregojnë se pacieni ka pësuar dy goditje, ai ka dy vrima të errëta mbushura me lëng. Neuro-psikologjisti Adam Brickman në Shkollën e Mjekësisë të universitetit Columbia në Nju Jork, thotë se këto njolla të errëta dikur ishin qelizat e shëndetshme dhe tashmë të vrara nga pllakëzat e gjakut.

Hippokampus - pjesë tjetër e trurit - kontrollon kujtesën, dhe mund të ndikohet edhe nga një goditje e heshtur.

"Kur shohim ndryshime të kujtesës në plakje, zakonisht ia atribuojnë moshës ose ndryshimeve funksionale apo strukturore në hippokampus. Ajo që zbuluam është se prania e goditjes në tru lidhet edhe me funksionimin e kujtesës."

Dr. Brickman dhe kolegët e tij shqyrtuan një grup prej më shumë se 650 burra dhe gra 65 vjeç e sipër pa asnjë shenjë të mëparshme humbje të rëndë kujtese. Ata iu nënshtruan skanimeve MRI të trurit, dhe analizave për të matur aftësinë për të thithur informacion. Studimet e mëparshme kishin gjetur se ndryshimet në madhësinë e hippocampus dhe goditjet e heshtura ishin të lidhura me funksionimin e njohjes, por dr. Brickman thotë se ky studim vërteton një lidhje të fortë mes goditjes së heshtur dhe humbjes së kujtesës.

Skanimi MRI identifikoi goditje të heshtur në 25 përqind të pjesëmarrësve në studim. Shkencëtarët shpresojnë për të vazhduar vëzhgimin e këtij grupi vitin e ardhshëm, për të parë nëse mes tyre zhvillohen shenja të sëmundjes Alzheimer që fillon të shfaqet me humbje të kujtesës.

XS
SM
MD
LG