Lidhje

Projekt për rikthimin e goceve të detit në Gjirin Xhamajka


Në një gji detar të lagjes Xhamajka pranë qytetit të Nju Jorkut, dikur kishte shumë goce deti. Peshkimi i tepruar dhe ndotja çuan në zhdukjen e tyre disa dekada më parë. Por qyteti i Nju Jorkut ka ndërmarrë një nismë për të risjellë përsëri gocën e detit në këto ujëra duke krijuar kushtet e nevojshme përmes krijimit të shkëmbinjëve nënujorë me tualete të riciklueshme. Materiali në vazhdim spegon funksionimin e kësaj metode.

Pjesë të thyera të tualeteve – të kombinuara me guacka të ndryshme hidhen në Gjirin Xhamajka të Nju Jorkut. Materialet po formojnë një shtresë të fortë prej 745 metra katrore në dyshemenë e gjirit. Ajo po përdoret si shtrat për të rritur larvat. Aty pranë gjendet një zonë e mbrojtur me 50 mijë gocë deti që kanë arritur pjekurinë. Plani është që larvat e tyre të përfundojnë në shtratin e krijuar dhe më pas të fillojnë të formojnë një shkëmb natyral nënujor.

Përdorimi i tualeteve të vjetra nuk dëmton mjedisin, thotë John McLaughlin me Departamentin për Mbrojtjen e Mjedisit në Nju Jork.

“Porcelani i thyer është shumë i ngjashëm me cilësitë e guackave për të tërhequr larvat. Pra në vend që ato të hidhen në plehra, ne vendosëm të vëmë në përdorim këto tualete të vjetra.”

Mungesa e goceve të detit ka dëmtuar aftësinë e gjirit për të pastruar ujin, thotë Pete Malinowski me projektin “Billion Oyster” që po ndihmon të instalojë dhe monitorojë këtë vendbanim.

“Ato pastrojnë ujin, ofrojnë ushqim dhe strehë për kafshët e detit. Stabilizojnë shtratin e detit, shtojnë pastërtinë e ujit dhe stabilizojnë bregdetin.”

Një gocë deti mund të filtrojë deri në 190 litra ujë në ditë. Kjo do të thotë se cilësia e ujit të Gjirit të Xhamajkës mund të jetë shumë më e mirë në të ardhmen e afërt.

XS
SM
MD
LG