Lidhje

Teknologjia në ndihmë të arbitrave të futbollit


Në çerek finalet e Kampionatit Botëror të Futbollit në vitin 2010, regjistrimet e ndeshjes treguan se Frank Lampard i Anglisë shënoi gol në ndeshjen me Gjermaninë, por goli nuk u pranua se as arbitri dhe as anësorët nuk e panë që topi e kaloi vijën fatale, pasi u përplas në traversën e portës dhe ra në fushë. Incidenti shkaktoi një debat të fortë saqë FIFA u tërhoq para presionit dhe miratoi të ashtuquajturën teknologji e vijës fatale që do të përdoret për herë të parë në ndeshjet e Kupës së Konfederatës në Brazil nga 15 deri më 30 qershor.

Në Kampionatin Botëror të 2010, goli ishte i qartë për tifozët, median dhe zyrtarët që panë pamjet e regjistruara. Bjorn Linder e ka për detyrë tani që gabime të tilla të mos përsëriten më.

Ai është kryetari i GoalControl, kompanisë me bazë në Gjermani që fitoi kontratën për Kupën e Konfederatës së këtij viti. Ekipi i tij ka qënë në Brazil disa javë para fillimit të ndeshjeve në kuadrin e procesit të certifikmit të FIFA-s.

“I gjithë sistemi përdor 14 kamera që janë instaluar në vijën fundore. Ne kemi shtatë kamera për gol dhe kompjuterë që janë të lidhur me këto kamera. Kompjuterët kapin imazhet që janë rreth 500 fotografi për sekondë”.

Kompjuterët ndjekin trajektoren e topit në kohë reale për të rikrijuar skenarin që ka ndodhur në ndeshje.

“Sapo kompjuteri konstaton se topi ka kaluar vijën fatale, i dërgon sinjalin arbitrit në orën e dorës. Kështu që gjithë arbitrat në fushë marrin sinjalin. Ora vibron dhe në fushën e saj shkruhet ‘gol’ dhe kështu arbitri e di se goli është bërë”.

Ndërsa syri elektronik në vijën fatele mund të shërbejë për të zgjidhur mosmarrëveshjet, të dhënat janë rindërtim i realiteti. Gazetari britanik i teknologjisë, Nic Fleming, thotë se paraqitja e teknologjisë së vijës fatale është një mundësi për të edukuar poblikun rreth pasigurisë në shkencë, që është temë qendore në shumë debate publike.

“Këto janë mjete fantastike, por duhet të jemi realistë për saktësinë e tyre. Është me shumë rëndësi që publiku të kuptojë se shkenca ka të bëjë me probabilitetet”.

GoalControl thotë se sistemi elektronik ka një saktësi me plus ose minus pesë milimetra, shumë nën kufirin e gabimit të lejuar të FIFA-s që është plus ose minus tre centimetra. Fleming thotë se do të donte që ky numër të dilte në ekran dhe kështu shikuesit do të bënin dallimin mes ritransmetimit dhe rikrijimit kompjuterik të lojës dhe të mësonin pak shkencë.

Por ndërsa teknologjia e vijës fatale bëhet pjesë integrale e sportit, është me shumë rëndësi të mbahet parasysh se është arbitri dhe jo kompjuteri që thotë fjalën e fundit.
XS
SM
MD
LG