Google dëshiron të dijë vendndodhjen tuaj kaq shumë, sa që regjistron çdo lëvizje që bëni, edhe kur i thoni shumë qartë të mos e bëjë një gjë të tillë. Një analizë e kryer nga agjencia Associated Press zbulon se shumë shërbime të kompanisë Google në pajisjet Android dhe iPhones ruajnë të dhënat e vendndodhjes tuaj edhe nëse ju keni zgjedhur që të mbeteni të padukshëm, që do të thotë se nuk doni ta lejoni kompaninë të dijë vendndodhjen tuaj.
Në shumicën e rasteve, Google kërkon leje për të përdorur të dhëna për vendndodhjen e përdoruesit. Një aplikacion si Google Maps i kujton përdoruesit të lejojë proceset robotike të Google-it të përdorë koordinatat e vendndodhjes së tij në mënyrë që ta udhëzojë si të shkojë në adresën e kërkuar.
Nëse përdoruesi i jep Google-it leje për të regjistruar vendndodhjen e tij, me kalimin e kohës, Google Maps do ta krijojë një historik të plotë të të gjithë lëvizjeve që ka bërë përdoruesi duke treguar me përpikmëri vendet ku ka qenë.
Kompania thotë se i lejon përdoruesit të fshehin vendndodhjen apo të "pezullojnë" ndjekjen e lëvizjeve të tyre.
"Tani është programuar të dallojë vendndodhjen time dhe e ruan atë në mënyrë automatike kudo që shkoj. Këtë kam zgjedhur. Por ta zëmë se dua të jem i padukshëm. Mund të shtyp këtë buton për të fshehur vendndodhjen time”, thotë Steve Lee me kompaninë Google.
Por nuk ndodh kështu. Edhe nëse e “pezullon” regjistrimin e vendndodhjes, disa aplikacione të Google-it ruajnë lëvizjet e përdoruesit edhe nëse ai nuk e ka kërkuar një gjë të tillë.
Për shembull, Google e di vendndodhjen tuaj kur hapni aplikacionin e hartave, Google Maps, apo kur kërkoni të dini parashikimin për motin.
Ruajtja e të dhënave të vendndodhjes pa pëlqimin e përdoruesit është e padrejtë thotë Frederike Kaltheuner, me kompaninë Privacy International.
"Shumë aplikacione kërkojnë funksionimin e të dhënave të vendndodhjes dhe nuk ka asgjë të keqe këtu. Por kompania duhet të tregojë haptazi se cfarë bën me këto të dhëna dhe njerëzit duhet të kenë mundësinë që lëvizjet e tyre të mos regjistrohen".
Ruajtja e lëvizjeve tuaja minutë pas minuti sjell rreziqe të privatësisë dhe është përdorur nga policia për të zbuluar vendndodhjen e të dyshuarve.
Google thotë se ka qenë shumë e qartë në praktikat e saj.
"Ka një numër mënyrash të ndryshme që Google mund të përdorë vendndodhjen për të përmirësuar shërbimet për përdoruesit, duke përfshirë: Historikun e Vendndodhjes, Aktivitetin në Internet dhe në Aplikacione", tha një zëdhënës i kompanisë Google në një deklaratë për agjencinë Associated Press.
"Ne japim përshkrime të qarta të këtyre mjeteve dhe kontrolle të fuqishme, në mënyrë që njerëzit të mund të fshijnë historitë e lëvizjeve të tyre në çdo kohë".
Kompani të mëdha të teknologjisë janë nën presion në rritje mbi praktikat e tyre të përdorimit të të dhënave, pas një sërë skandalesh privatësie me Facebook-un dhe rregullave të reja të privatësisë së të dhënave të miratuara kohët e fundit nga Bashkimi Evropian.
"Nëse kam shans për t’i çaktivizuar, unë i çaktivizoj të gjitha. Për momentin këtë bëj. Çdo aplikacion që përdor, ka në të vendndodhjen, që kompania e përdor kur e aktivizoj, por më pas nuk më pëlqen ta përdorin vendndodhjen time pa miratimin tim", thotë përdoruesi i telefonëve inteligjent, Claudio Nogueira.
“Nuk mendoj se ata duhet t’i përdorin të dhënat pa lejen tuaj, por nëse ju jepni leje, atëherë është në rregull. Nëse ju vetë e keni ndërprerë historinë e vendndodhjes tuaj, e dini se nuk doni të gjurmoheni ose nuk doni që ata të dinë vendndodhjen tuaj, ata nuk kanë të drejtë të jenë në gjendje ta bëjnë një gjë të tillë. Nuk është e drejta e tyre, sepse është privatësia juaj", thotë përdoruesja, Rosielyn Bartolazo.
Kritikët thonë se këmbëngulja e Google për të ndjekur vendndodhjet e përdoruesve të saj vjen nga synimi për të rritur të ardhurat nga reklamat.
Çështja e privatësisë prek rreth dy miliardë përdorues të pajisjeve që përdorin Android të Google-it dhe qindra miliona përdorues në mbarë botën që mbështeten tek Google për harta apo kërkime.
Facebook Forum