Në Shqipëri, një grabitje e pazakontë ka ndodhur sot pasdite në aeportin e vetëm ndërkombëtar të vendit “Nënë Tereza” ku është sulmuar një makinë që trasportonte sasi të mëdha parashë të një banke private
Ngjarja ka ndodhur në sheshin e brendshëm të fluturimeve.
Një autoveturë ku ndodheshin tre persona të armatosur dhe me maska, pasi ka mundur të hapë një nga portat anësore të rrethimit të jashtëm duke prerë menteshat e saj, është drejtuar me shpejtësi drejt një avioni linje ku po ngarkoheshin paratë.
Grabitësit duket se nuk kanë ndeshur në rezistencë të punonjësve të kompanisë së sigurisë që bënte transportin e parave dhe me shpejtësi kanë ngarkuar thasët në mjetin e tyre duke u larguar menjëherë më pas.
Policia nuk ka dhënë njoftim mbi shumën e grabitur ndërkohë që sipas mediave mendohet se bëhet fjalë për më shumë se 3 milion euro.
Autovetura e grabitësve është gjendur më pas e djegur, disa kilometra larg aeroportit.
Në ndjekje të grabitësve janë vënë forca dhe mjete të shumta përfshirë dhe një helikopter.
Grabitja ndodh pikërisht në momentin kur pas sulmit terrorist të së martës në mbrëmje në Stamboll, ishte njoftuar për një përfocim të masave të sigurisë në aeroportin Nënë Tereza.
Policia në njoftimin e saj të parë për ngjarjen saktësoi megjithatë se rrethimi i jashtëm sigurohet nga shërbimi i sigurisë së kompanisë private që administron aeroportin.