Lidhje

Grafeni - materiali me potencial të madh


Substanca ekzotike e re e quajtur grafen shihet tashmë si materiali i mrekullive i shekullit të 21. Problemi është se askush nuk ka zhvilluar një mënyrë për prodhimin në masë të tij. Por një shkencëtar irlandez thotë se ai mund të ketë gjetur një zgjidhje.

Grafiti është një tjetër emër për karbonin e pastër, një material i njohur që përdoret, ndër të tjera, për majën e lapsit.

Por kur shtresat e grafitit ndahen në fletë tepër të holla, me trashësi sa një atom i vetëm, materiali i përftuar, i njohur me emrin grafen, sillet krejt ndryshe. Në atë nivel, atomet formojnë modele të caktuara gjeometrike, duke e bërë atë jo vetëm më të fortë se çeliku, por edhe përçuesin më të mirë të nxehtësisë dhe energjisë elektrike.

Teorikisht, grafeni mund të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si prodhohen bateritë, mikroprocesorët dhe ekranet elastikë, si dhe qasjen ndaj terapive të kancerit.
Ekspertë të industrisë, si Keith Paton i kompanisë së prodhimit të lëndëve kimike Thomas Swan, thonë se ndarja dhe manipulimi i fletëve jashtëzakonisht të holla të grafenit është një sfidë shumë e vështirë.

"Një nga gjërat që e kanë ndaluar suksesin e tij është mungesa e furnizimit në shkallë të gjerë, pra mungesa e sasive të mëdha të grafenit, e grafenit me cilësi të mirë dhe me kosto të arsyeshme."

Por Jonathan Coleman, i qendrës shkencore për materialet të Kolegjit Trinity në Dublin, thotë se kjo mund të arrihet duke përzier grafit me ujë dhe m enjë supstancë tjetër, surfaktant, një lloj sapuni., ...në një makinë të zakonshme bluarje për gatim. Presat që rrotullohen me shpejtësi ndajnë shtresat, të cilat ngjiten në sipërfaqen e bluarësit.

"Në këtë fazë të hershme aty ka edhe grafit, kështu që na duhet të kalojmë në një fazë përpunimi, për të ndarë grafitin nga grafeni dhe pasi e bëjmë këtë do të kemi këtë lëng të mirë të zi, që praktikisht është grafen në ujë me surfaktant."

Zoti Coleman, studiuesi kryesor i projektit, thotë se sapo ky proces të përsoset dhe përshtatet për prodhim në shkallë të gjerë, grafeni do të nisë të ndryshojë mënyrën se si prodhojmë shumë objekte, që nga plastika me rezistencë të lartë tek qarqet elektronike.

"Do të ketë shumë përdorime që do të përfshijnë përçueshmërinë e tij, kështu që nëse vendos një shtresë shumë shumë të hollë grafeni në një sipërfaqe, kjo shtresë është përçuese prandaj, për shembull, mund të përdoren si elektroda në panele diellore ose tek bateritë."

Shkencëtarët thonë se ky material i jashtëzakonshëm do të mund të përdoret dhe në impiante të trajtimit të ujit apo për pastrimin e derdhjeve të naftës. Prodhimi i tij në shkallë të gjerë mund të fillojë brenda këtij viti.
XS
SM
MD
LG