Lidhje

Athinë: Reagime ndaj dënimit të ish ministrit


Banorët e Athinës reaguan sot ndaj dënimit të ish ministrit grek të Mbrojtjes me 20 vjet burgim për pastrim parash. Ndërkohë, gazetari që publikoi të ashtuquajturën “lista Lagarde” me emrat e më shumë se 2 mijë grekëve me llogari bankare në Zvicër, është përsëri në gjykim në Athinë në akuzat se ka cenuar ligjet e privatësisë.

Pas një procesi pesë mujor, një gjykatë e Athinës e shpalli fajtor të hënën, duke e dënuar me 20 vjet burgim, Akis Xohaxopulos – një figurë e njohur e qeverive të mëparshme socialiste – së bashku me 16 nga 18 të pandehurit e tjerë, përfshi gruan e tij, ish gruan dhe vajzën.

Ish ministri 73 vjeçar i mohoi të gjitha akuzat dhe akuzoi prokurorinë se po kryente një gjykim të motivuar politikisht.

Gruaja dhe vajza e tij u dënuan secila me nga 12 vjet burg, ndërsa ish gruaja dhe një kushëri me gjashtë vjet.

Të pandehurit e tjerë u dënuan nga 6 deri në 16 vjet.

Gjykata urdhëroi gjithashtu konfiskimin e shtëpisë së tij në qendër të Athinës dhe një gjobë prej 520 mijë eurosh.

Banorët e Athinës duket të kenë pak simpati për ish ministrin:

"I erdhi radha drejtësisë. Pas veprimeve të gabuara vjen ndështimi. Kështu ndodh”.

Xohaxopulos duhet të kthejë të gjitha paratë e vjedhura dhe pastaj ta kalojë pjesën tjetër të jetës në burg, thotë një tjetër.

Ky rast i korrupsionit u zbulua pas një skandali mbi një kontratë për blerjen e nëndetëseve gjermane dhe raketave ruse.

Xohaxopulos u akuzua se pranoi rryshfete mes viteve 1997-2001 për dhënien e këtyre kontratave.

Ndërkohë, gazetari grek Kostas Vaxenis vuri në pikëpyetje motivet e sistemit të drejtësisë i cili e dërgoi përsëri për gjykim sot pasi ishte shpallur më parë i pafajshëm nga akuzat për shkelje të ligjeve të privatësisë pas publikimit të një liste të debatueshme me llogari bankare:

“Edhe pse unë u lirova nga akuzat, prokurori me sa duket është vënë nën presion dhe kërkoi rigjykimin e çështjes. Pra tani duhet të shkoj në gjyq edhe pse në realitet hetimi në parlament tregoi se qeveritë dhe ministrat kishin fshehur listën që unë kisha detyrimin ta bëja publike”.

Gazetari Vaxevanis u shpall i pafajshëm në vitin 2012 për shkelje të ligjeve të privatësisë pasi publikoi listën me emrat e më shumë se 2 mijë grekëve që kishin llogari bankare në Zvicër dhe që supozohej të hetoheshin për evazion fiskal.

Por një prokuror publik apeloi vendimin e gjykatës dhe kërkoi rigjykimin e çështjes.

Vaxevanis tha se liria e shtypit ishte përsëri nën presion .

“Këtu po gjykohet shtypi dhe jo unë. Gazetaria investigative është nën gjykim.. Ata nuk ndjekin Agimin e Artë, kriminelët apo vjedhësit e taksave. Një vit pas publikimit të listës dhe tre vjet pasi e morën atë në dorë, shteti grek nuk ka kthyer asnjë euro”.

Vaxevanis botoi listën e njohur si “Lista Lagarde” në revistën e tij Hot Doc.

Lista iu dha fillimisht Greqisë në vitin 2010 nga ministrja e atëherëshme franceze e Financave Christine Lagarde.

Çështja tërhoqi vëmendje pasi qeveritë e mëparshme ndërsa vendosën masa shtrënguese ekonomike nuk ndoqën penalisht individët e pasur që nuk paguanin taksa.

Në vitin 2013, filloi një hetim parlamentar dhe në korrik komisioni rekomandoi që ish ministri i finanncave që mori listën, të përballet me akuza kriminale për manipulim dhe fshehje të fakteve.
XS
SM
MD
LG