Greqia po ballafaqohet sot me kreditorët e saj evropianë mbi kushtet e borxhit të shpëtimit dhe masave shtrënguese të imponuara mbi Athinën.
Ministri grek i Financave Yanis Varoufakis po takohet me ministrat e financave të eurozonës në Bruksel. Qeveria e re e ekstremit të majtë në Greqi kërkon të rinegociojë huanë prej 300 miliardë dollarësh dhe jo zgjatjen e shlyerjes së saj.
Greqia kërkon që huadhënësit – 18 vendet e tjera të eurozonës, Banka Qëndrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar – t’i japin një hua të përkohshme për disa muaj. Athina thotë se kërkon më shumë kohë për të negociuar ndryshimet e planit të masave shtrënguese sipas të cilit pagat dhe pensionet janë shkurtuar, taksat janë rritur dhe mijëra punonjës civilë janë pushuar nga puna.
Zyrtarët evropianë nuk kanë treguar ndonjë gadishmëri për të lehtësuar kushtet e huasë.
Kryeministri i ri i Greqisë Alexis Tsipras, që fitoi dje një votbesim në parlament lidhur me kundërshtimin që u kishte bërë kreditorëve të huaj, tha se Athina do të refuzojë zgjatjen e afatit të shlyerjes së borxheve.