Lidhje

Shtyhen negociatat për Greqinë


Negociatat e vështira të Greqisë me kreditorët ndërkombëtarë u shtynë për në fundjavë, vetëm pak ditë para se Athinës t’i afrohet afati i 30 qershorit për shlyerjen e borxhit, që do të përcaktonte në se vendi do të falimentonte dhe do të largohej nga Eurozona.

Një takim i rëndësishëm të enjten mes ministrave të financave të Eurozonës për çështjen e paketës së shpëtimit për Greqinë u ndërpre, pa arritur në ndonjë marrëveshje, duke i intensifikuar dyshimet në se Athina do të jetë në gjendje t’i paguajë FMN-së borxhin prej 1,8 miliardë dollarësh të martën.

Një marrëveshje për rritje drastike të taksave, si dhe paketa e reformave të ashpra, është e nevojshme që kreditorët të zhbllokojnë një paketë kredish prej 8,1 miliardë dollarësh, që do të ishte shpëtim për kryeministrin grek Alexis Tsipras.

“Historia europiane është e mbushur me mosmarrëveshje, negociata dhe në fund, me kompromise”- tha zoti Tsipras. Prandja, pas propozimeve gjithpërfshirëse që bëri pala greke, shtoi ai “kam besimin se do të arrijmë një kompromis.”

Negociatorët e një niveli më të ulët do vazhdojnë ndërkohë bisedimet dhe të shtunën është në plan të zhvillohet një takim i ri i ministrave të financave të Eurozonës.

Kryeministri grek ndodhet nën një presion të madh nga vetë grekët, ngaqë kompromisi i sugjeruar deri tani, do të thotë më tepër vështirësi për qytetarët; ata tashmë janë duke vuajtur pasojat e masave të mëparshme, siç është pakësimi i shpenzimeve publike.

Sipas zyrtarëve grekë në bisedime, kreditorët janë duke kërkuar marrjen e disa masa të tjera të ashpëra, të ndryshme nga ato të propozuara nga Athina, si shkurtime të menjëhershme.

Në këto masa përfshihen ulja e pensioneve dhe një rritje të mëtejshme taksash, kërkesa që mund të shkaktojnë pakënaqësi në Greqi ndaj qeverinë, në se ato zbatohen prej saj.

Duke e shtuar më tej urgjencën, FMN-ja tha se Greqisë nuk do t’i shtyhet më tej pagesa e borxhit, përtej datës 30 qershor.

Mospagimi i borxhit do ta detyronte Greqinë të dilte nga Erozona, gjë që do të ishte tepër e dhimbshme për vendin. Disa ekspertë thonë se kjo do të ishte e përballueshme për Europën dhe ekonominë botërore, por mbetet e paqartë në se dështimi i Greqisë do të trondiste tregjet botërore.

Mes pasigurive lidhur me të ardhmen, grekët kanë filluar të tërheqin depozitat nga baankat. Kjo e ka detyruar Bankën Qendrore Europiane të rrisë kreditë urgjente ndaj bankave greke çdo ditë, duke filluar që nga java e kaluar.

Ekspertët thonë se në se Greqia nuk arrin një marrëveshje, duhet të vendosë pa humbur kohë një kufi për sasinë e tërheqjeve të depozitave nga klientët.

Megjithë pasiguritë, investitorët po përpiqen të jenë të duruar. Indeksi i aksioneve evropiane u mbyll pa ndryshime, ndërsa bursa e Athinës u luhat me 0,1 për qind.

XS
SM
MD
LG