Lidhje

Greqia, në krye një koalicion i radikalëve të majtë dhe të djathtë


Në Greqi, udhëheqësi i së majtës radikale, Alexis Tsipras bëri betimin si kryeministër i ri i vendit, pas formimit të një aleance me një parti të vogël të krahut të djathtë. Zoti Cipras, partisa e të cilit Syriza fitoi në zgjedhjet e djeshme parlamentare, ka deklaruar se do t'i japë fund politikave disavjeçare të shtrëngimit ekonomik. Por fitorja në zgjedhje mund ta verë Greqinë në konflikt me Bashkimin Evropian.

Betimi i kreut të partisë Syriza, Cipras, si kryeministër i ri i Greqisë, u bë me një ceremoni laike, ndryshe nga tradita, kur kryeministrat betohen në prani të përfaqësuesve të kishës ortodokse.

Në zgjedhjet e djeshme, partia e majtë radikale, Syriza, dhe udhëheqësi i saj 40-vjeçar, Cipras, lanë prapa konservatorët e Demokracisë së Re të kryeministrit Antonis Samaras. Rezultatet e zgjedhjeve të djeshme e bëjnë zotin Cipras kryeministrin më të ri të Greqisë në 150 vjet. Syriza është zotuar t'i japë fund politikave të rrepta të shtrëngimit financiar.

Aleksis Cipras, udhëheqës i partisë Syriza:

"Greqia ishte zgjedhur si kavje për politikat e shtrëngimit ekonomik. U provua se kjo ishte një politikë e dështuar dhe katastrofike."

Syrizës i duheshin edhe dy vende në parlament për të patur 151 vendet që do ta lejonin të qeveriste vetë, pa nevojën e një koalicioni.

Koalicioni qeveritar përfshin partinë e djathtë të Grekëve të Pavarur, e cila mori vetëm 4.7 përqind të votave.

Syriza ka pak gjëra të përbashkëta me partinë e Grekëve të Pavarur, të udhëhequr nga Panos Kamenos, por të dyja janë kundër masave të shtrëngimit financiar që filluan disa vjet më parë.

Rezultati i zgjedhjeve në Greqi ka ringjallur shqetësime se blloku evropian i monedhës së përbashkët mund të zhytet në kaos. Ministrat e financave të Bashkimit Evropian u mblodhën sot për të diskutuar se sa mund të ndikohet euroja nga zhvillimet politike në Greqi.

Kreu i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem, tha se qeveria greke duhet t'u përmbahet marrëveshjeve të shpëtimit financiar dhe se brenda Eurozonës ka pak mbështetje për falje të borxheve.

Jeroen Dijsselbloem, Kreu i Eurogrupit:

"Pres që ata të punojnë me ne për të forcuar ekonominë greke, gjë që ka rëndësi të dorës së parë. E kuptojmë se duhet bërë shumë punë dhe jemi të gatshëm t'i mbështesim. Natyrisht, anëtarësia në Eurozonë nënkupton gjithashtu që secili vend t'i përmbahet atyre gjërave për të cilat kemi rënë dakord me njëri-tjetrin."

Zoti Cipras ka deklaruar se do të rinegociojë kreditë e shpëtimit financiar të Greqisë, që kanë arritur në rreth 300 miliard dollarë dhe që janë miratuar vitet e fundit nga Bashkimi Evropian, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Ai është zotuar gjithashtu të refuzojë kërkesat e kreditorëve, që përfshijnë shkurtime të pensioneve dhe të pagave.

Kryeministri britanik David Cameron ka paralajmëruar se zgjedhjet e Greqisë mund të shtojnë pasigurinë ekonomike kudo në Evropë.

Shtëpia e Bardhë, pa përmendur çështjet ekonomike, e uroi Greqinë për mbajtjen me sukses të zgjedhjeve. Një zëdhënës tha se SHBA presin të punojnë nga afër me qeverinë e re.

XS
SM
MD
LG