Lidhje

Takim Tsipras-Merkel në Gjermani


Kryeministri grek Alexis Tsipras dhe Kancelarja gjermane Angela Merkel u përpoqën t'u japin një fillim të ri marrëdhënieve gjithnjë e më të tensionuara mes tyre, duke thënë se janë në kërkim të rrugëve për të ndihmuar Athinën të arrijë marrëveshje me kreditorët për ta mbajtur Greqinë në Eurozonë.

Në vizitën e tij të parë në Gjermani që prej ardhjes në pushtet në janar, zoti Tsipras dha shenja pajtimi megjithëse nuk premtoi asgjë konkrete lidhur me reformat që kreditorët si Gjermania duan të shohin para se të japin hua të reja.

Greqia ka nevojë urgjente për më shumë para, ndërkohë që përballet me një shterrim të fondeve buxhetore brenda pak javësh.

Në klimën e tensioneve të shtuara midis Greqisë dhe Gjermanisë rreth bisedimeve për paketën e shpëtimit financiar, zoti Tsipras tha se Kancelarja Merkel e kishte ftuar atë gjatë një bisede telefonike për të ardhur në Berlin, duke i thënë se "është më mirë të flasim me njëri-tjetrin se sa për njëri-tjetrin".

"Unë nuk kam ardhur këtu për të kërkuar ndihmë financiare,'' u tha zoti Tsipras gazetarëve pas takimit me Kancelaren Merkel pas dyerve të mbyllura për më shumë se një orë. "Kam ardhur për një shkëmbim mendimesh, për të parë se ku kemi pika të përbashkëta dhe ku jo," - tha ai.

Ai i karakterizoi bisedimet si "pozitive" dhe shtoi se kishte vënë re që zonja Merkel dëshiron të jetë konstruktive në shkëmbimin e mendimeve.

Zonja Merkel tha nga ana e saj se Gjermania është vetëm njëri prej vendeve të Eurozonës, që do të vendosin nëse reformat e Greqisë janë apo jo të mjaftueshme. Ajo tha se në bisedimet e saj me zotin Tsipras nuk ishte marrë asnjë vendim.

XS
SM
MD
LG