Lidhje

Pas kalimit të kufirit grek fillojnë përpjekjet e imigrantëve për mbijetesë


Pas kalimit të kufirit grek fillojnë përpjekjet e imigrantëve për mbijetesë
Pas kalimit të kufirit grek fillojnë përpjekjet e imigrantëve për mbijetesë

Çdo vit, qindra mijëra imigrantë largohen nga vendet e tyre drejt Evropës, në kërkim të një jete më të mirë. Shumë prej tyre hyjnë në Bashkimin Evropian ilegalisht, me shpresën se do t’u shpëtojnë kontrolleve. Shpesh ata u paguajnë trafikantëve mijëra dollarë, që t’i ndihmojnë të shkojnë në një vend evropian. Shumë prej tyre e kalojnë detin Mesdhe me barkë nga Afrika. Por gjatë muajve të fundit ka patur një fluks imigrantësh, të cilët hyjnë nga kufiri mes Turqisë dhe Greqisë.

Për Abdul Samat dhe Nabir Hamad ky ishte një udhëtim i gjatë, më tepër se 6 mijë kilometra, i cili filloi në Bangladesh. Më në fund ata mbërritën në Greqi, të raskapitur:

"Për të arritur deri këtu kaluam nga India, Pakistani, Irani dhe Turqia. Udhëtimi zgjati 20 ditë, ishte tepër i vështirë dhe nuk kishim ushqime".

Menjëherë pasi hynë në Greqi, Samatin dhe Hamadin i arrestuan. Por, ashtu si imigrantë të tjerë që u strehuan këtu në Aleksandropulis, 10 km larg kufirit turk, ata i liruan, pasi qendrat e ndalimit për imigrantët janë plot. Pra, ata qëlluan me fat.

Thuajse të gjithë imigrantët pa dokumente që hyjnë në Evropë, rreth 300 në ditë, nga Afrika, Lindja e Mesme dhe Azia, kalojnë lumin Evros, që ndan Turqinë me Greqinë dhe ku nuk ka roje të mjaftueshme që t’i pengojnë. Me të mbërritur në Greqi, imigrantët ndodhen tashmë në Bashkimin Evropian.

Por kalimi është i vështirë, siç mund të shihet në këto video të marra nga Agjencia e OKB-së për Refugjatët. Çdo vit qindra imigrantë vdesin gjatë përpjekjeve të kalimit. Shumë prej tyre përfundojnë në këtë varr masiv për imigrantët myslimanë, pranë kufirit. Askush nuk e di identitetin e njerëzve të varrosur këtu. Familjet në vendet e tyre nuk dinë gjë për fatin e tyre.

Vaxhid Sharifi, është refugjat afgan, i cili e kaloi Lumin Evros për të hyrë në Greqi 4 vjet më parë. Ai na e tregoi këtë varr masiv:

"Njerëzit që janë varrosur këtu dikur kishin ëndërr të vinin në Evropë për një të ardhme më të mirë, por u mbytën duke kaluar lumin, ose ngaqë shkelën mbi mina në kufi".

Në mbarë luginën jehon zëri i faljeve nga fshati Sidiro me banorë myslimanë. Myftiu i xhamisë së fshatit ka qenë i pranishëm në varrimet.

"Ka shumë varre të tjera masive si ky në fshatin tonë. Varrezat kudo në Alexandropulis janë plot…",- thotë myftiu.

Për ata që arrijnë të shpëtojnë gjatë udhëtimit, beteja për të filluar një jetë të re në Evropë është vetëm fillimi.

Kjo video është marrë jashtë një stacioni policie në Athinë, ku imigrantëve që kërkojnë strehim politik u jepet fillimisht ajo mqë quhet Karta e Kuqe. Karta i lejon ata të qëndojnë në Greqi, ndërsa vazhdon procesi i shqyrtimit të dokumenteve. Por Karta e Kuqe duhet rinovuar çdo muaj dhe radha për rinovimin është e gjatë. Rreth 45 mijë raste janë në shqyrtim e sipër.

Amir Hosein është nga Irani dhe kërkon strehim politik. Ai bën pjesë në një grup që ngritën një kamp për protesta në Athinë. Pamjet janë xhiruar prej tij. Një pjestar i grupit person nga grupi sapo ka marrë pasaportë greke, pasi ai dhe 5 të tjerë hynë në grevë urie.

"Ne u kërkojmë të gjitha qeverive të botës të na e dëgjojnë zërin. A do të presim që fëmijët tanë 6-7 vjeçarë të mbyllin gojën si ne, deri sa t’i kushtohet më tepër vëmendje kërkesave tona?"- thotë Amir.

Ndërkohë, shumë imigrantë luftojnë për të mbijetuar nëpër rrugët e Athinës, ku neofashistët shpesh i rrahin nëpër rrugë.

Agjencia e OKB-së për Imigrantët thotë se gjendja aktuale është një krizë humanitare dhe i ka bërë thirrje qeverisë greke ta reformojë procesin e dhënies së azilit.

Derisa kjo të ndodhë, shumë imigrantë do të vazhdojnë të shikojnë, se ëndërra e tyre ka vdekur në këto rrugë të lashta të Greqisë.



XS
SM
MD
LG