Lidhje

Greqi, protesta në mbështetje të mësuesve


Sindikatat e punonjësve të shërbimit civil në Greqi hynë në grevë 24 orëshe në përgjigje të vendimit të qeverisë për të përdorur forcat e emergjencës për të ndalur protestat e mësuesve të shkaktojnë vonesa në provimet për pranimet në universitet këtë muaj.

Është hera e tretë këtë vit që koalicioni qeveritar i udhëhequr nga konservatorët përdor urdhërin e mobilizimit emergjent civil – një masë normalisht e rezervuar për katastrofa natyrore dhe raste të tjera krizash – por që po përdoret tani për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve të punës në vendin e goditur nga kriza ekonomike.

"Me këtë veprim, si mësues, ne denoncojmë këto veprime terroriste të qeverisë ndaj gjithë punonjësve, veçanërisht ndaj mësuesve. Me solidaritetin e pjesës tjetër të punonjësve ne do t’i shkelim këto masa, - ”
thotë mësuesi Theodoros Aygeros, pjesëmarrës në protestë.

Ministrat e financave të Eurozonës miratuan dje në Bruksel dhënien e këstit të ri për Greqinë pasi u miratuan më tepër masa shtrënguese muajin e kaluar, përfshi dispozita për pushimin masiv nga puna të punonjësve civilë.

Greqia do të marrë 7.5 miliardë euro, por i është kërkuar të plotësonë disa reforma strukturore para se të marrë këstin e dytë në qershor.

Ekonomisti i lartë në bankën Alpha, Michael Massourakis thotë se marrëveshja do të krijojë besim në ekonominë greke, duke stimuluar rimëkëmbjen ekonomike.

“Fondet po vijnë pasi me to po financohen ende deficitet ekzistuese në sektorin publik. E rëndësishme është se këto këste përmirësojnë besimin në ekonominë greke dhe mbi këtë bazë do të shohim më pas rimëkëmbjen ekonomike. Në se nuk ka besim, nuk ka rimëkëmbje”.


"Do të sjellë padyshim rritje. Por duhet ta kuptojmë se përpjekja duhet të jetë kolektive dhe duhet durim," thotë Renos Pavlakis, banor i Athinës.

Greqia është mbështetur në miliarda euro të ndihmës ndërkombëtare që nga maji i vitit 2010 pas një borxhi të lartë dhe një defiçiti buxhetor që e çoi në prag të falimentimit.




XS
SM
MD
LG